Deputeti demokrat, Belind Këlliçi ka reaguar sërish në lidhje me audiopërgjimet e publikuara në lidhje me izraelitin Ron Yeffet, i cili akuzohet për trafik armësh.
Në një postim në rrjete sociale, Këlliçi shkruan se përse Rama nuk ka dalë të flasë në lidhje me rastin.
Sipas tij, audiopërgjimi i Yeffet flet për marrëdhëniet me qeverinë shqiptare, tenderat dhe procedurat shtetërore, ndërsa Rama prej 12 ditësh nuk ka dhënë asnjë reagim.
“Edi Rama vijon të heshtë 12 ditë pasi u publikua audiopërgjimi nga Arben Ahmetaj ku miku i tij ngushtë, Ron Yeffet flet për trafik ndërkombëtar armësh dhe prezantohet si koordinator i punëve të pisëta dhe padron i disa ministrave.
Ron Yeffet është prova e një inkriminimi të ri edhe më të rëndë të Edi Ramës, nga sa kemi parë këto 14 vite. Ai hesht dhe e ndaloi transparencën rreth tij për këtë arsye, sepse skandali është përvëlues”,- shkruan Këlliçi ndër të tjera.













