Hysni Patushi, 68-vjeçari i arrestuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Lumturie Patushi, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, ku ka folur për konfliktet që, sipas tij, kishin lindur herë pas here mes çiftit.
Në deklaratën e dhënë para hetuesve, ai ka pohuar se debatet lidheshin me faktin që bashkëshortja qëndronte në shtëpinë e vajzës së tyre dhe jo në banesën e përbashkët në zonën e “Don Boskos”.
“Ne kishim konflikte herë pas here, pasi Lumturia qëndronte në shtëpinë e vajzës dhe jo në banesën tonë në ‘Don Bosko’. I kërkoja të kthehej në shtëpinë tonë, por ajo nuk pranonte. Paraditen e sotme e mora në telefon dhe më tha se ndodhej te TEG-u. Shkova në shtëpinë e vajzës dhe e gjeta aty. Më kishte gënjyer”, ka deklaruar 68-vjeçari, sipas të dhënave të bëra të ditura.
Deklarimet e tij po verifikohen nga grupi hetimor, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes së rëndë./Versus.al


