Veshjet dhe sendet personale të heroit kombëtar Çerçiz Topulli u ekspozuan në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, përmes një manekini me një portret aspak dinjitoz, por skandaloz, për një figurë kaq të rëndësishme jo vetëm për qytetin por edhe për të gjithë historinë e pavarësisë së vendit tonë.
Manekini plastik, fytyra e të cilit ishte vizatuar duke krijuar imazhin e heroit të popullit Çerçiz Topulli dhe që prej ditësh ishte vendosur në muze kanë tërhequr vëmendjen dhe ngjallur indinjatën e vizitorëve.
Skandali ngjalli polemika në rrjet por dhe ne debat publik.
'Tallje me Heroin Kombëtar Çerçiz Topulli një tallje që nuk është par asnjëherë ' shkroi një faqe në rrjetet sociale.
Hiqeni këtë dordolec! Në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës janë ekspozuar veshjet dhe armët e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli. Por manekini, të cilit i kanë veshur rrobat që mbante heroi, ka tërhequr vëmendjen për shkak se kuratorët janë përpjekur t’i japin pamjen e një shtatoreje bashkë me imazhin që i ngjan disi heroit.
Në fakt, nuk kanë krijuar as një shtatore dhe as thjesht një manekin, por një “personazh” qesharak, që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit. Në vend të këtij dordoleci, mund të ishin mjaftuar edhe thjesht me një trup, pa kokë, pasi qëllimi ka qenë ekspozimi i veshjeve dhe armëve, dhe jo ndërtimi i një shtatoreje të heroit”, shkroi Mentor Kikia.
Skandali bëhet edhe më i rëndë për faktin se kjo paraqitje është vendosur pikërisht në Muzeun historik të Kalasë së Gjirokastrës, në qytetin ku lindi Çerçiz Topulli dhe ku historia e tij është pjesë e identitetit të qytetit.
Ndërkohë sot kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore, Florian Hysi dha dorëheqjen.
Pas debateve publike, manekinit i janë fshirë vizatimet që portretizonin Çerçiz Topullin, duke lënë në të vetëm ekspozimin e veshjeve.
Në deklaratën e dorëheqjes, Hysi shprehet se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale dhe thekson se vendimi i tij është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin.


Foto: Si ishte manekini ku u ekspozuan veshjet e Çerçiz Topullit

Foto: Si u ndryshua manekini ku po ekspozohen veshjet e Çerçiz Topullit

Në të majtë, si ishte manekini i Çerçiz Topullit, në të djathtë si u ndryshua
© SYRI.net