Kryetarja e komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar ndaj ekspozimit të veshjeve të Çerçiz Topullit në një manekin, ku ra në sy një portret aspak dinjitoz për një figurë kaq të rëndësishme për historinë e pavarësisë së vendit tonë.
Të tallesh me figurën e Çerçiz Topullit në Muzeun e Gjirokastrës është e papranueshme dhe një fyerje për historinë tonë kombëtare.
Çerçiz Topulli nuk është një personazh për t’u kthyer në karikaturë. Është një prej figurave të Rilindjes Kombëtare, një patriot dhe luftëtar që i kushtoi jetën çështjes kombëtare.
Një turist shqiptar apo i huaj që hyn në një muze të historisë sonë duhet të përballet me dinjitetin e heroit, me historinë dhe me të vërtetën, jo me një figurë groteske që e bën Çerçiz Topullin objekt talljeje.
Është edhe më e rëndë që kjo paraqitje është vendosur pikërisht në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, në qytetin ku lindi Çerçiz Topulli dhe ku historia e tij është pjesë e identitetit të qytetit.
Trashëgimia kulturore nuk është lodër dhe heronjtë e kombit nuk janë material për eksperimente amatore.
Si u lejua që një paraqitje e tillë të vendosej në një muze shqiptar? Kush e miratoi? Kush e kontrolloi? Janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi kapilare ashtu siç duhet menjëherë të hiqet ajo shgarravinë e turpshme.
© SYRI.net