
Partia Socialiste pritet të përshpejtojë procedurat parlamentare për miratimin e Reformës së re Administrative Territoriale, pavarësisht kundërshtive që propozimi ka shkaktuar edhe në nivel vendor.
Procesi nis të hënën në Konferencën e Kryetarëve dhe vijon në Komisionin e Ligjeve, ku do të miratohet kalendari i punës. Sipas burimeve, synimi është që propozimi të votohet në seancën plenare të 8 tetorit, ndërsa data 15 tetor konsiderohet afati maksimal për përfundimin e procedurës, për shkak të afateve që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve vendore.
Diskutimet parlamentare parashikohet të zgjasin vetëm dy javë. Më 23 shtator do të prezantohet në parim ndarja e re e propozuar nga socialistët, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Më 28 shtator pritet të zhvillohen brenda një dite seancat dëgjimore me përfaqësues të Këshillit të Ministrave, Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë dhe ekspertë të qeverisjes vendore.
Më pas, një javë do t’i kushtohet shqyrtimit nen për nen, ndërsa miratimi në tërësi nga Komisioni i Ligjeve parashikohet më 5 tetor. Projektligji pritet t’i kalojë seancës plenare më 8 tetor, ku shumicës socialiste do t’i duhen 84 vota. Pas votimit në Kuvend, ligji do t’i dërgohet Presidentit për shqyrtim dhe dekretim.
Propozimi parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi fqinje. Bashkitë që pritet të humbasin statusin si njësi të pavarura janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Këshilltarë të majtë dhe të djathtë në disa prej këtyre bashkive kanë kundërshtuar propozimin, por qëndrimet e tyre nuk e kanë ndalur vijimin e procedurës.
Nëse miratohet, kjo do të jetë reforma e dytë territoriale e ndërmarrë nga socialistët gjatë qeverisjes së Edi Ramës, pas ndarjes së vitit 2014. Edhe këtë herë palët mbeten pa konsensus: opozita kërkon rreth 100 njësi vendore, ndërsa propozimi i PS-së parashikon vetëm 46 bashki./Versus.al

