AKTUALITET /

VIDEO/ Falsifikuan dokumentet për të përfituar prona, del sërish në skenë ish-drejtori i ASHK Fier

Për Emiljano Rukon, i cili gjatë periudhës nën hetim punonte si topograf në Kadastër, është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Falsifikuan dokumentet për të përfituar prona, del

Policia e Fierit ka publikuar pamjet nga ekzekutimi i masave të sigurisë në fazën e dytë të operacionit “Stolen Land”, i cili lidhet me dyshimet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh pronësie.

Në kuadër të këtij operacioni është ekzekutuar masa “Arrest në burg” ndaj Ervin Habilajt, ndërsa Emiljan Ruko është vendosur nën masën “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Në këtë dosje shfaqet sërish emri i ish-drejtorit të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, i arrestuar disa ditë më parë për hetimin që lidhet me tjetërsimin e dyshuar të rreth 1 143 hektarëve tokë në zonën e Semanit.

Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve është zbuluar një rast tjetër ku dyshohet se është përdorur e njëjta skemë: falsifikimi i dokumenteve dhe regjistrimi i paligjshëm i pronës, me qëllim përfitimin dhe tjetërsimin e saj.

Procedimi i ri lidhet me një sipërfaqe prej rreth 71,7 hektarësh tokë në zonat e Levanit dhe Dërmenasit. Hetuesit dyshojnë se edhe në këtë rast janë kryer veprime të kundërligjshme gjatë regjistrimit dhe kalimit të pronësisë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës, përcaktimin e përgjegjësive dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

/Versus.al

 

Poll