Jasir Asani nuk është përfshirë sërish në listën e Kombëtares shqiptare nga trajneri Silvinho Maran, një vendim që ka shkaktuar reagimin e sulmuesit kuqezi.
Pas publikimit të listës së grumbullimit, Asani ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh të shkurtër, por që lë të kuptohet qartë pakënaqësia e tij për vendimin e trajnerit.
“Po rri urtë se e di veten. Historia nuk harrohet kurrë. Më mirë të mos flas më”, shkruan Asani.
Ky është grumbullimi i dytë radhazi në të cilin trajneri Maran vendos të mos e përfshijë sulmuesin me origjinë nga Shkupi në listën e Kombëtares.
Asani ishte një nga lojtarët kryesorë të Shqipërisë gjatë fushatës së kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2024, ku tërhoqi vëmendjen me paraqitjet dhe golat e tij me fanellën kuqezi.
Sulmuesi e ka nisur sezonin në Iran me Esteghlal në një formë të mirë, duke regjistruar katër gola dhe dy asistime. Megjithatë, performanca e tij nuk ka mjaftuar për të bindur Maran që ta rikthejë në Kombëtare.
Në këtë grumbullim, trajneri ka lënë jashtë listës edhe dy emra të tjerë të njohur të Kombëtares, Armando Brojën dhe Nedim Bajramin.
Reagimi i Asanit ka hapur sërish diskutimin mbi vendimin e trajnerit për përzgjedhjen e lojtarëve, ndërsa vetë sulmuesi ka zgjedhur të mos japë më shumë detaje, duke mbyllur mesazhin e tij me fjalët: “Më mirë të mos flas më”.


