Nga Boldnews.al
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 72-vjeçarin, Kastriot Hasko, i dyshuar se ka falsifikuar dokumentat e trashëgimisë së pronave të gjyshit të tij, doktor Simon Simonodhi.
Trupa gjykuese kishte caktuar më herët gjatë kësaj jave ndan tij masën arrest me burg në mungesë, të cilën e zbuti disi në seancën për verifikim mase, të përfunduar pasditen e kësaj të Shtune.
Për momentin, është e paqartë se përse fillimisht prokuroria, e më tej gjykata, caktuan masën ekstreme për të moshuarin, për një vepër penale, e cila nuk ka rrezikshmëri specifike për shoqërinë.
Hasko po hetohet së bashku me dy ish-drejtues të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu e Bardhyl Kapaj, gjithashtu të arrestuar
Prokuroria e Fierit dyshon se këta tre persona dhe një i katërt, jurist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, kanë regjistruar një pronë rreth 1400 hektarë në Seman, mbi dokumenta të falsifikuara.
Kastriot Hasko, përfituesi i pronës, dyshohet nga prokurorët se ka përdorur dokumenta të falsifikuara për të regjistruar pronën.
Nga ana tjetër, 72-vjeçari Hasko argumenton se gjithçka është realizuar mbi prona origjinale
Kastriot Hasko është nipi i doktor Simon Simonidhit, i lindur në vitin 1881 në Vuno.
Simonidhi ishte mjek, deputet në periudhën e Mbretit Zog. Gjithashtu, dr. Simon Simonidhi ishte ortak në shoqërinë private “Sita”, e cila zotëronte koncensionet e kriporeve në Vlorë, Fier e deri në Kavajë, përfshirë edhe shumë prona në këto zona.
Në vitin 1946, regjimi komunist shtetëzoi dhe konfiskoi të gjithë pronat e dr. Simonidhit
Pas viteve ’90, trashëgimtarët e tij nisën procedurat për kthimin e pronave. Në janar të vitit 1997, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi kthimin e dy sipërfaqe toke, 570 dhe 530 hektarë, në favor të trashëgimtarëve të dr. Simon Simonidhit, mes të cilëve edhe djali i vajzës së tij, Kastriot Hasko.
Prona u regjistrua në Hipotekë rreth dy dekada më pas, në vitin 2024. Por, në vitin 2025, Ministria e Bujqësisë e dha këtë tokë me një qira afatgjate një subjekti privat, nën argumentin se “prona është e pamenaxhuar”.
Po në vitin 2025, Prokuroria, mbi bazën e një kallëzimi të dorëzuar nga kompania qiramarrëse, nisi hetim për falsifikimin e dokumentave, me të cilën Kastriot Hasko kishte regjistruar pronën në Hipotekë.
LEXO EDHE:














