AKTUALITET /

Pronat në Seman/ Gjykata lë në burg ish-zyrtarët e Kadastrës, biznesmeni lihet në arrest shtëpie

Shkruar nga Versus

Pronat në Seman/ Gjykata lë në burg ish-zyrtarët e

Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për katër personat nën hetim për skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Semanit.

Ish-drejtorët e Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, si dhe juristi Piro Çela do të vijojnë të qëndrojnë në burg.

Për biznesmenin Kastriot Hasko, gjykata vendosi zëvendësimin e masës nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.

Sipas vendimit, Hasko nuk duhet të largohet nga banesa dhe nuk i lejohet të ketë kontakte me persona të tjerë, përveç anëtarëve të familjes.

Gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu, nëse nuk mbahet për shkak të ndonjë mase tjetër sigurie apo vendimi dënimi.

Policia Gjyqësore është ngarkuar me ekzekutimin e vendimit, ndërsa Prokuroria dhe Policia do të mbikëqyrin respektimin e masës “Arrest në shtëpi”.

Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përmes të cilave janë regjistruar sipërfaqe toke në bashkëpronësi me katër persona të tjerë. Pas regjistrimit, pronat dyshohet se janë shitur te dy shoqëri të ndryshme.

Në kuadër të hetimit janë sekuestruar 76 pasuri, me sipërfaqe të përgjithshme rreth 1 143 hektarë, si dhe 150 mijë euro.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë./Versus.al

Poll