Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Nga krimi i organizuar, dronet e deri te ekstremizmi, përfaqësues të FBI-së TAKOJNË elitën e sigurisë në Tiranë (DETAJE)

Shkruar nga Newsbomb
Nga krimi i organizuar, dronet e deri te ekstremizmi, përfaqësues
Foto ilustruese

Këto ditë Tirana është bërë qendra e një takimi të rëndësishëm të drejtuesve dhe ekspertëve të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa. Kjo pasi duke filluar nga dita e sotme 19 shtator, deri më 23 shtator në kryeqytet do të zhvillohet takimi i 42-të i kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA).

Agjenda e takimit përfshin në program tema që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe luftën kundër krimit: krimi i organizuar, terrorizmi, ekstremizmi online, grupi “764”, dronët, krimi kibernetik, paratë e krimit, sekuestrimi i pasurive, narkotikët dhe ekstradimet, sipas Euronews Albania.

Mësohet se në aktivitete kanë marrë pjesë përfaqësues nga institucionet amerikane dhe ato shqiptare, përfshirë këtu drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, Prokurorisë dhe BKH-së, kurse nga përtej oqeanit është parashikuar pjesëmarrja e  Spencer Horn, Zëvendës Ndihmës Drejtori në FBI-së, si dhe e atasheut të FBI-së në Sofje, Brendan Collins.

Takimi nis me diskutime për luftën kundër krimit të organizuar dhe përvojën e Budapest Organized Crime Task Force, që shënon 25 vite bashkëpunimi. Në program është edhe modeli amerikan i Joint Terrorism Task Force, që bashkon agjenci të ndryshme për hetimin e kërcënimeve terroriste.

Ndërsa nga pala shqiptare do të diskutohet edhe për krimet në kufi dhe migracionin e paligjshëm.

Një nga temat më të veçanta që do të diskutohen është grupimi online “764”, i cili lidhet nga autoritetet amerikane me forma të ekstremizmit të dhunshëm dhe aktivitete kriminale në internet. Kjo temë do të prezantohet nga një zyrtar i FBI-së nga Berlini. Po ashtu pritet që të diskutohet edhe për format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe përvojën e Shqipërisë në përballimin e tyre.

Një pjesë e posaçme e konferencës u është kushtuar edhe dronëve, ku raportohet se ekspertë  të FBI Laboratory Division do të prezantojnë teknologjitë që përdoren për ekzaminimin dhe analizimin e dronëve. Pas këtij sesioni, diskutimet kalojnë te krimi kibernetik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kundër grupeve kriminale.

Një nga temat e tjera që do të diskutiohen është edhe ajo e ndjekjes së parave të krimit, në konferencë do të diskutohet roli i inteligjencës financiare në luftën kundër krimit të organizuar. Në program është edhe tema “From Confiscation to Public Good”, që lidhet me mënyrën se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të përdoren për qëllime publike.

Në program është përfshirë edhe një rast konkret i hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve. Rasti do të prezantohet nga hetuesi i BKH-së, Eduart Kaloshi. Dhe së fundi do të diskutohen procedurat shqiptare të ekstradimit, problemet që hasen në praktikë dhe mënyrat e bashkëpunimit me vendet e tjera.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese