AKTUALITET /

Nga krimi i organizuar te dronët dhe paratë e krimit, FBI “zbarkon” në Tiranë: Pesë ditë takime me SPAK, BKH dhe Policinë

Në takim marrin pjesë drejtues dhe ekspertë nga institucionet ligjzbatuese amerikane, europiane dhe shqiptare.

Shkruar nga Versus

Nga krimi i organizuar te dronët dhe paratë e krimit, FBI

Tirana do të jetë për pesë ditë qendra e diskutimeve ndërkombëtare për sigurinë dhe luftën kundër krimit. Nga 19 deri më 23 shtator zhvillohet në kryeqytet takimi i 42-të i Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates (FBINAA).

Në takim marrin pjesë drejtues dhe ekspertë nga institucionet ligjzbatuese amerikane, europiane dhe shqiptare. Mes tyre janë përfaqësues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Nga pala amerikane është parashikuar pjesëmarrja e një zyrtari të lartë të FBI-së, Spencer Horn, si dhe e atasheut të FBI-së në Sofje, Brendan Collins.

Në qendër të diskutimeve do të jenë krimi i organizuar, terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm në internet, krimi kibernetik, përdorimi i dronëve, narkotikët, pastrimi i parave, sekuestrimi i pasurive kriminale dhe ekstradimet. Pala shqiptare pritet të paraqesë gjithashtu çështje që lidhen me krimet ndërkufitare dhe migracionin e paligjshëm.

Një prej temave të veçanta është rrjeti online “764”, i lidhur nga autoritetet amerikane me ekstremizmin e dhunshëm dhe krime të rënda në internet. Në program përfshihet edhe prezantimi i teknologjive për ekzaminimin dhe analizimin e dronëve nga ekspertë të FBI Laboratory Division.

Vëmendje do t’i kushtohet edhe goditjes së financave të grupeve kriminale. Në sesionin “From Confiscation to Public Good” do të diskutohet mënyra se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të kalojnë në shërbim të interesit publik.

Në konferencë pritet të paraqitet edhe një rast konkret i hetuar nga BKH-ja në fushën e narkotikëve, ndërsa në ditën e fundit diskutimet do të përqendrohen te procedurat e ekstradimit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.

FBINAA është një organizatë ndërkombëtare e profesionistëve të zbatimit të ligjit, të diplomuar në programin e FBI National Academy, por nuk është pjesë institucionale e FBI-së dhe nuk vepron në emër të saj./Versus.al

Tags:

fbi

Poll