Gjykata e Fierit ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorët e ASHK-së Fier, Bardhyl Kapaj dhe Ertis Shehu, si dhe për specialistin Pirro Çela, të cilët janë nën hetim për përvetësimin e 1143 hektarëve tokë përmes dokumenteve të dyshuara të falsifikuara.
Në të njëjtën çështje, gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për Kastriot Haskon, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Sipas vendimit, Hasko duhet të qëndrojë në banesën e tij dhe nuk lejohet të ketë kontakte me persona të tjerë, me përjashtim të pjesëtarëve të familjes.
Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Haskos, nëse ai nuk mbahet për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi, ndërsa ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar Policisë Gjyqësore.
Në vendimin e saj, gjykata ka vendosur vijimin e masës “arrest në burg” për E.S., P.Ç. dhe B.K., në zbatim të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Ndërkohë, për K.H. është vendosur zëvendësimi i masës “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”, sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendimi përcakton se personi nën hetim duhet të mos largohet nga adresa e banimit dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë, përveç pjesëtarëve të familjes.
Prokuroria dhe Policia Gjyqësore janë ngarkuar me mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas akuzave që po hetohen, personat në fjalë dyshohet se kanë përvetësuar rreth 1143 hektarë tokë në qarkun e Fierit, duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Vendimi i Gjykatës së Fierit nuk është përfundimtar dhe ndaj tij palët mund të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit.


