Akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe përfitim të padrejtë të pronave, dy ish-drejtorët e Kadastrës Fier mbeten në burg, një tjetër kalon në arrest shtëpie!

19 Shtator 2026, 20:15Kronika TEMA
Akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe përfitim të

Gjykata e Fierit ka vendosur të lërë në burg ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Ertis Shehun, si dhe Pirro Çelën dhe Bardh Kapajn. Ndërkohë, për biznesmenin Kastriot Hasko, gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë me “arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për procedimin përkatës. Personat ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurisë gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.

Siç kemi raportuar edhe më herët, këta shtetas dyshohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Hetimet ndaj tyre nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe për tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara.

1. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim E.S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

2. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim P.Ç., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

3. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim B.K., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal shtrëngues ndaj personit nën hetim K.H., nga masa e sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Masë e cila do të vuhet nga personi nën hetim në banesën e tij

5. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga adresa e banimit dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes.

6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim K.H., nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi.

7. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

8. Ngarkohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të mbikëqyrin dhe kontrollojnë zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nga personi nën hetim K.H.

9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

Lini një Përgjigje