Prej 51 ditësh tashmë, banorët e Divjakës janë duke vijuar protestat kundër propozimit të PS për reformën territoriale. Pavarësisht se në numër nuk janë njësoj si në fillimet e protestës, qytetarët mbeten të vendosur për të vijuar qëndresën e tyre, duke theksuar se Divjaka duhet të mbetet bashki më vete.
Sipas tyre, ndryshimi i propozuar, i cili konsiston në bashkimin e Divjakës me Lushnjen, do të cenonte identitetin dhe historinë e zonës, si dhe do të ndikonte në administrimin e saj. Gjatë fjalimeve, protestuesit e kanë vënë theksin te resurset që disponon Divjaka si edhe potencialin njerëzor të zonës.
Qytetarët janë shprehur të vendosur për të vijuar më kundërshtimin e tyre, teksa më 8 tetor pritet që të hidhet në votim propozimi për ndarjen e re administrative territoriale. Në përfundim të protestës së 51-të, qytetarët kanë marshuar në rrugët e qytetit.
