Inteligjenca artificiale pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit jetojnë, punojnë dhe ndërveprojnë me teknologjinë gjatë dekadës së ardhshme. Nga chatbot-et dhe asistentët virtualë të sotëm, AI mund të evoluojë drejt sistemeve që perceptojnë mjedisin, marrin vendime, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe veprojnë edhe në botën fizike.
Ky është vizioni i paraqitur nga Huawei në raportin “Intelligent World 2035”, ku kompania identifikon 10 zhvillime teknologjike që, sipas saj, mund të formësojnë dekadën e ardhshme. Raporti është hartuar pas më shumë se 200 workshop-eve dhe konsultimeve me mbi 100 ekspertë, studiues, klientë dhe partnerë nga vende të ndryshme. Në analizë janë përdorur gjithashtu të dhëna dhe metodologji nga institucione ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe Forumin Ekonomik Botëror.
1. AI do të hyjë në botën fizike, drejt AGI-së
Një nga ndryshimet më të mëdha të parashikuara është kalimi i inteligjencës artificiale nga bota thjesht digjitale në atë fizike. Huawei e përshkruan këtë si “going physical”, ku sistemet AI do të jenë në gjendje të perceptojnë mjedisin, të kuptojnë situatat, të marrin vendime dhe të veprojnë në mënyrë autonome.
Sipas raportit, kjo rrugë konsiderohet thelbësore për zhvillimin e AGI-së, ose inteligjencës artificiale të përgjithshme, e cila synon sisteme që mund të kryejnë një gamë shumë të gjerë detyrash intelektuale dhe praktike. Për këtë, AI duhet të ndërthurë inteligjencën gjuhësore me atë të mishëruar në pajisje fizike dhe me aftësitë për të kuptuar botën reale.
2. Agjentët AI do të bëhen partnerë në vendimmarrje
Në vend të chatbot-eve që presin një komandë për çdo veprim, agjentët AI pritet të jenë në gjendje të marrin një objektiv të përgjithshëm, të analizojnë hapat e nevojshëm, të përdorin mjete të ndryshme dhe të përfundojnë detyra me më pak ndërhyrje njerëzore.
Huawei parashikon që gjatë dhjetë viteve të ardhshme këta agjentë të kalojnë nga mjete të thjeshta ekzekutimi në partnerë vendimmarrës, duke ndryshuar mënyrën se si funksionojnë kompanitë dhe industri të tëra.
3. Programimi ndryshon: njeriu projekton, AI ekzekuton
Edhe mënyra se si ndërtohet software-i mund të pësojë një transformim të madh. Programuesit pritet të përqendrohen gjithnjë e më shumë te arkitektura, zgjidhja e problemeve dhe projektimi i sistemeve, ndërsa AI do të marrë përsipër pjesë të konsiderueshme të kodimit dhe detyrave të përsëritshme.
Në të njëjtën kohë, komunikimi me kompjuterët pritet të largohet gradualisht nga komandat teknike dhe të afrohet me gjuhën natyrore. Përdoruesi mund të shpjegojë çfarë dëshiron të realizojë, ndërsa sistemi të përkthejë kërkesën në hapa teknikë dhe t’i ekzekutojë ato.
4. Zëri, gjestet dhe ndërveprimi multimodal do të ndryshojnë pajisjet
Ekrani, tastiera dhe prekja mund të mos jenë më mënyrat kryesore për të komunikuar me pajisjet.
Huawei parashikon sisteme që kombinojnë tekstin, zërin, imazhet dhe forma të tjera informacioni, duke i dhënë përdoruesit mundësinë të ndërveprojë përmes të folurit, gjesteve dhe ndërfaqeve multimodale.
Kjo pritet të zbehë më tej kufirin mes botës fizike dhe asaj digjitale, ndërsa pajisjet inteligjente do të shërbejnë si ura mes të dyjave.
5. Aplikacionet mund t’ua lënë vendin agjentëve AI
Edhe mënyra se si përdorim telefonat mund të ndryshojë. Sot, për të kryer një veprim, përdoruesi kalon nga një aplikacion te tjetri: hap një aplikacion për mesazhet, një tjetër për transportin, një tjetër për pagesat apo rezervimet.
Në skenarin e Huawei-t, përdoruesi thjesht do të shprehë qëllimin e tij, ndërsa agjenti AI do të koordinojë shërbimet e nevojshme në sfond.
Aplikacionet, në këtë model, do të evoluojnë nga njësi të izoluara funksionale në nyje shërbimesh që mund të thirren nga agjentët AI. Kjo mund të çojë në një ekosistem ku disa agjentë bashkëpunojnë për të realizuar një detyrë të vetme.
6. AI do të marrë “trup”: robotë dhe automjete autonome
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me Embodied AI, pra inteligjencën artificiale të integruar në botën fizike.
Këtu përfshihen robotët, automjetet autonome dhe pajisje të tjera që kombinojnë inteligjencën artificiale me sensorë, komunikim, fuqi kompjuterike dhe mekanizma fizikë.
Huawei parashikon se zhvillimi i të ashtuquajturave “world models” mund të ndihmojë në krijimin e automjeteve autonome të nivelit 4 ose më të lartë.
Por skenari shkon edhe brenda shtëpive. Sipas raportit, mbi 90% e familjeve në Kinë mund të kenë robotë inteligjentë deri në vitin 2035.
7. Fuqia kompjuterike mund të rritet 100 mijë herë
Zhvillimi i AI kërkon sasi gjithnjë e më të mëdha fuqie kompjuterike. Huawei parashikon që deri në vitin 2035 kapaciteti global i llogaritjes mund të jetë 100 mijë herë më i madh se në vitin 2025.
Sipas raportit, një rritje e tillë do të kërkojë ndryshime përtej arkitekturës tradicionale von Neumann. Kompania parashikon inovacione në materialet dhe pajisjet gjysmëpërçuese, proceset e prodhimit, arkitekturën e kompjuterëve dhe mënyrat e reja të llogaritjes.
8. Ruajtja e të dhënave të AI mund të rritet 500 herë
Me zgjerimin e inteligjencës artificiale në çdo sektor, rritet edhe sasia e të dhënave që duhet të ruhet dhe përpunohet.
Huawei parashikon që kërkesa për AI storage në vitin 2035 mund të jetë 500 herë më e madhe se në vitin 2025 dhe se ruajtja e lidhur me AI mund të përbëjë më shumë se 70% të kapacitetit total global të storage-it.
Kjo do të kërkojë sisteme ruajtjeje me kapacitet shumë më të madh, bandwidth më të lartë dhe aftësi për ta kthyer të dhënën nga një material i ruajtur në informacion të përdorshëm për inteligjencën artificiale.
9. 9 miliardë njerëz dhe 900 miliardë agjentë AI
Një nga parashikimet më të pazakonta të raportit lidhet me numrin e agjentëve artificialë.
Huawei projekton se në vitin 2035 rreth 9 miliardë njerëz do të jenë të lidhur me 900 miliardë agjentë AI, ose teorikisht rreth 100 agjentë për çdo njeri.
Një ndryshim i tillë do të kërkonte një transformim të infrastrukturës së internetit. Në vend të një rrjeti ku komunikojnë kryesisht njerëzit dhe pajisjet, do të shfaqej një “Agentic Internet”, ku miliarda sisteme autonome do të komunikonin, bashkëpunonin dhe shkëmbenin të dhëna në kohë reale.
10. AI do të kërkojë shumë më tepër energji
Rritja e inteligjencës artificiale do të ketë edhe një kosto të konsiderueshme energjetike.
Huawei parashikon që deri në vitin 2035 qendrat globale të të dhënave mund të konsumojnë rreth 1.5 trilion kilovat-orë energji elektrike në vit. Kompania argumenton se rritja e kërkesës për energji do të jetë një nga faktorët që mund të kufizojnë ritmin e zgjerimit të AI-së nëse infrastruktura energjetike nuk zhvillohet në të njëjtën kohë.
Në të njëjtën kohë, AI pritet të përdoret për të optimizuar prodhimin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë në kohë reale. Sipas skenarit të raportit, energjia e prodhuar nga era dhe dielli mund të përbëjë rreth 50% të miksit global të energjisë deri në vitin 2035.
AI në më shumë se 85% të kompanive
Parashikimet e Huawei nuk kufizohen te infrastruktura teknologjike. Sipas raportit, deri në vitin 2035 AI mund të përdoret nga më shumë se 85% e kompanive, ndërsa sistemet e bazuara në inteligjencën artificiale mund të kontribuojnë në rritjen e produktivitetit deri në 60%.
Në shëndetësi, raporti parashikon përdorim më të madh të AI për monitorimin dhe parandalimin e sëmundjeve; në arsim, sisteme që përshtatin procesin e të nxënit sipas nevojave të çdo nxënësi; ndërsa në prodhim, financë, energji dhe logjistikë, agjentët AI mund të marrin një rol gjithnjë e më të madh në analizë, planifikim dhe vendimmarrje.
Megjithatë, vetë raporti nënvizon se kjo e ardhme nuk lidhet vetëm me përparimin teknologjik. Privatësia e të dhënave, siguria, drejtësia e algoritmeve, ndryshimet në tregun e punës dhe kufijtë etikë të inteligjencës artificiale mbeten çështje që kërkojnë rregulla dhe standarde të reja.
Në këtë kuadër, Huawei argumenton se zhvillimi i një bote gjithnjë e më të inteligjencës artificiale duhet të shoqërohet me transparencë, bashkëpunim dhe mekanizma që mbajnë njeriun në qendër të procesit.


