Protesta të dhunshme në Hagë, policia shpërndan forcërisht tubuesit e ekstremit të djathtë
Përleshje të dhunshme shpërthyen të shtunën në Hagë mes policisë holandeze dhe rreth 500 protestuesve të ekstremit të djathtë, gjatë një tubimi kundër politikave qeveritare, veçanërisht atyre që lidhen me emigracionin.
Protestuesit brohoritën slogane antisemite dhe hodhën fishekzjarre, objekte të ndryshme dhe mjete ndezëse në drejtim të policisë. Autoritetet ndërhynë për shpërndarjen e turmës pasi ndaluan marshimin që ishte planifikuar të zhvillohej në qytet.
Sipas gazetarëve të AFP në vendngjarje, policia, e mbështetur nga një ekip qensh policie, përdori shkopinj për të zmbrapsur protestuesit. Në operacion u përfshinë edhe efektivë të policisë së hipur mbi kuaj, ndërsa u përdorën topa uji për të shpërndarë turmën. Gjatë përleshjeve pati edhe arrestime.
Ministri holandez i Drejtësisë, David van Veel, dënoi dhunën dhe incidentet gjatë protestës.
“Përshëndetje naziste, slogane antisemite, dhunë kundër policisë dhe mjete ndezëse të hedhura ndaj oficerëve të policisë”, shkroi ai në X, duke theksuar se ngjarjeve duhet t’u jepet “një përgjigje e fuqishme”.
Tubimi, i quajtur “Ne Jemi Populli”, ishte organizuar për të kundërshtuar politikat e qeverisë holandeze, me emigracionin ndër çështjet kryesore të protestës.
Marshimi ishte planifikuar të kalonte nëpër qytet, por autoritetet bashkiake vendosën ta ndalonin pasi situata u përshkallëzua në parkun ku ishin mbledhur protestuesit dhe urdhëruan shpërndarjen e demonstratës.
Top Channel