Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për korrigjimin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e diasporës shqiptare në New York, Kurti tha se është e nevojshme një strategji shtetërore për reagimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, përfshirë mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në instancat e apelit dhe angazhimin diplomatik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, shkruan Kurti në "Facebook".
Ai theksoi se nevojitet një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik.
“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”, ka deklaruar Kurti.
Gjykata Speciale me seli në Hagë dënoi për krime lufte Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, e Rexhep Selimi me 13 vjet burgim, ndërsa i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
© SYRI.net
Nata e katërt e protestës në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales
ADN vërtetoi identitetin e tri viktimave nga varret masive në Zubin Potok, Kurti e çon çështjen në OKB
Këta janë tre veprimtarët e njohur të identifikuar pas zhvarrosjeve në Mitrovicë (EMRAT)