Një zjarr ka përfshirë një banesë në katin e parë të një pallati në Lagjen e Re të Bulqizës, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Në momentin kur banesa është përfshirë nga flakët, brenda saj ndodhej një person me aftësi të kufizuara. Fqinjët kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tij nga banesa, duke shmangur një pasojë më të rëndë.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë, të cilët kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe për sigurimin e zonës.
Nga zjarri janë dëmtuar sende dhe orendi brenda banesës, ndërsa nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.
Ndërkohë, shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende. Banori i shpëtuar ka deklaruar për mediat se dyshon se flakët mund të jenë shkaktuar nga një problem me energjinë elektrike, por kjo mbetet për t’u verifikuar nga grupi hetimor.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, shkakun e zjarrit dhe përmasat e dëmeve materiale.


