BOTA /

A mund ta zhdukë inteligjenca artificiale njerëzimin? Skenarët e frikshëm që ndajnë ekspertët

A mund ta zhdukë inteligjenca artificiale njerëzimin? Skenarët e frikshëm që ndajnë ekspertët

Shkruar nga Versus

A mund ta zhdukë inteligjenca artificiale njerëzimin? Skenarët e

Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka ndezur një debat të fortë mes studiuesve dhe drejtuesve të kompanive teknologjike: A mund të arrijnë sistemet e avancuara deri në pikën që të kërcënojnë vetë ekzistencën e njerëzimit?

Ish-studiuesi i Google DeepMind, Bilal Chughtai, ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të bëhet aq e fuqishme sa të shkaktojë pasoja katastrofike, nëse zhvillimi i saj vazhdon pa mekanizma të fortë kontrolli.

Ai dha dorëheqjen nga kompania në korrik, pas angazhimit në kërkimet për sigurinë dhe përshtatjen e sistemeve me interesat njerëzore.

Shqetësime të ngjashme janë shprehur edhe nga studiues të tjerë. Ish-punonjësi i Anthropic, Jacob Coxon, paralajmëroi për një kërcënim të mundshëm ekzistencial brenda dekadës së ardhshme, ndërsa eksperti Evan Hubinger e vlerësoi në mbi 10% mundësinë e një katastrofe të shkaktuar nga inteligjenca artificiale gjatë kësaj periudhe.

Skenarët më të frikshëm përfshijnë krijimin e sistemeve që mund të përmirësojnë vetveten, të shmangin kufizimet njerëzore, të manipulojnë informacionin ose të marrin kontrollin e infrastrukturës digjitale.

Ekspertët shqetësohen se një inteligjencë më e avancuar se njeriu mund të bëhet shumë e vështirë për t’u çaktivizuar apo kontrolluar.

Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtin alarm. Studiues si Gary Marcus dhe Alan Woodward i konsiderojnë këto parashikime të ekzagjeruara dhe pa mbështetje të mjaftueshme shkencore.

Sipas tyre, sistemet aktuale nuk kanë pavarësinë dhe aftësitë e nevojshme për të realizuar skenarë të tillë pa ndërhyrjen apo papërgjegjshmërinë njerëzore.

Disa kritikë dyshojnë gjithashtu se thirrjet e kompanive të mëdha për rregullim mund të lidhen edhe me interesa tregtare, pasi vendosja e kufizimeve të forta mund t’ua vështirësojë konkurrencën kompanive më të vogla dhe modeleve me burim të hapur.

Përballë këtyre paralajmërimeve, drejtues si Sam Altman, Elon Musk dhe Dario Amodei kanë kërkuar më shumë masa sigurie dhe koordinim ndërmjet kompanive.

Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana tjetër, i ka cilësuar frikërat për inteligjencën artificiale si të ekzagjeruara dhe kundërshton rregullat që mund të ngadalësojnë SHBA-në në garën teknologjike me Kinën.

Pavarësisht ndarjes së thellë mes ekspertëve, shumica bien dakord në një pikë: inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritme shumë të shpejta dhe kërkon më shumë transparencë, testime sigurie dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. /Reuters, The Guardian

Poll