web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/ Artistët tregojnë emocionet për CNA

20 Shtator 2026, 08:32, Kulturë CNA

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/

Pazari i Vjetër i Korçës është kthyer në skenë të muzikës dhe serenatave. Nata e tretë e festivalit “Serenights” ka mbledhur artistë dhe publik në një atmosferë ku këngët tradicionale korçare kanë zënë vendin kryesor. Në këtë mbrëmje, muzika ka ardhur përmes interpretimeve të artistëve të njohur, duke sjellë emocione dhe një përjetim të veçantë për publikun, i cili është bërë pjesë e këngëve.

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/

Për këngëtaren Eli Fara, rikthimi në këtë aktivitet është gjithmonë një emocion i veçantë. Ajo vlerëson ruajtjen e traditës, por edhe përpjekjet për ta sjellë serenatën në forma të reja, më pranë brezit të ri.

“Më vjen mirë njëherë që organizojnë çdo vit natë të serenatave korçare. Edhe sa herë që vij kam emocione të papara. E shijoj të gjithë natën, këngën, publiku këndon bashkë. Është një magji që ndodh në këtë qytet dhe jam e lumtur.Absolutisht që nuk ka nevojë të themi fjalë, sepse tradita e serenatës është e vulosur që është Korça. Por çdo vit ne mundohemi t’i sjellim edhe në variante të tjera, t’i bëjmë më aktuale dhe për brezin e ri. Kështu që ka risi në çdo vit që vjen. Edhe urime për organizatorët edhe për atë që ndërmarrin të sjellin artistë dhe muzikantë kaq të talentuar në këtë vend”,-tha artistja. 

Për këngëtarin Redon Makashi, pjesëmarrja në “Serenights” është një eksperiencë e re. Edhe pse ka qenë shpeshherë në Korçë, këtë herë ai është bërë pjesë e festivalit, duke vlerësuar atmosferën e krijuar gjatë netëve të tij. Makashi e konsideron serenatën një shprehje të dashurisë dhe të kulturës së qytetit, ndërsa thekson se këngët tradicionale korçare kanë arritur t’i rezistojnë kohës dhe të mbeten të dashura edhe për brezat e rinj.

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/

“Po, është hera e parë që marr pjesë në këtë aktivitet, është nata e tretë sot. Kanë qenë dy netë shumë të bukura, me sa mora vesh, edhe nga postimet që janë bërë nga publiku. Është hera e parë që marr pjesë, por zakonisht ne kemi qenë shpesh në Korçë, jo vetëm për serenata. Por kjo është një tjetër event që ka një historik në vetvete dhe ka atë emocionin e vet. Çdo vit që bëhet ka një emocion të veçantë. Serenata është dashuri. Aty shprehen aq bukur meloditë dhe tekstet e krijuesve të hershëm të serenatës korçare. Dhe më vjen keq që si ka mundësi nuk bëhen më këngë kaq të bukura sot. Ndoshta është ajo ideja për të bërë një muzikë më të ndërlikuar dhe lënë mënjanë origjinalitetin, që Korçës s’do t’i mungojë kurrë kjo gjë. Për mua serenatat janë këngë që i kanë rezistuar kohës. Biles dhe brezi i ri që janë më të vegjël se brezi ynë, i këndojnë këto këngë dhe janë këngë tradicionale korçare për mendimin tim. Dhe me thënë të drejtën, këngët serenatë korçare janë krijuar shumë hershëm, dhe kjo tregon që Korça ka qenë dhe është një ndër qytetet më me kulturë. E tregon vetë kënga”,-tregon Makashi. 

Përtej interpretimeve tradicionale, nata e tretë e festivalit ka sjellë edhe një qasje të re muzikore ndaj serenatës korçare. Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura ka kontribuar në prezantimin e këtij melosi përmes orkestrimeve dhe stileve të ndryshme, duke e çuar atë përtej formës së zakonshme të interpretimit.

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/

Drejtuesi artistik i orkestrës, Arben Skënderi, e sheh këtë proces si një përgjegjësi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë muzikore korçare. Sipas tij, nga nismat e para për të interpretuar serenatat, festivali ka arritur të zgjerojë përmasat dhe të sjellë artistë e qasje të ndryshme muzikore.

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/

“Atëherë, sot nuk do të flasim për emocione, do të flasim për përgjegjshmëri. Pse e them këtë? Për një arsye shumë të thjeshtë, se nga disa iniciativa të vogla për të marrë pjesë, për të luajtur e për të promovuar serenatën korçare, sot kemi ardhur në dimensione komplet të tjera. Është viti i disa-të që kjo gjë ndodh dhe nga viti në vit ka një progresion shumë të madh në çfarë: jo vetëm në pjesëmarrjen e artistëve, por mbi të gjitha nga ajo që për mua në sytë e mi është më e rëndësishmja, është çfarë po bëjmë ne me melosin korçar. Nuk është më i juaji melosi korçar, tashmë është i të gjithëve dhe është përtej artistëve që marrin pjesë këtu apo turistëve që janë këtu apo të tjerëve”,-u shpreh Skënderi. 

Nata e tretë e “Serenights” ka vijuar të sjellë muzikën pranë publikut, duke dëshmuar se serenata korçare mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor të qytetit. Përmes interpretimeve të artistëve dhe orkestrimeve të reja, tradita po përcillet në një formë që ndërthur të shkuarën me të tashmen.

Korça, arenë e muzikës në "Serenights Festival"/

Një mbrëmje ku Korça këndon, serenata bashkon dhe melosi i saj vazhdon të gjejë mënyra të reja për të jetuar e për t’u dëgjuar nga brezat e sotëm./CNA

 





Lajmet e fundit nga