BOTA /

Shoferi i Uber-it e la në autostradë, e reja humbi jetën! Kompania detyrohet të paguajë 40 milionë dollarë dëmshpërblim

Kompania kishte argumentuar se shoferi ishte një kontraktor i pavarur dhe se nuk ishte përgjegjëse për veprimet e tij.

Shkruar nga Versus

Shoferi i Uber-it e la në autostradë, e reja humbi jetën!
Uber dhe një ish-shofer i platformës janë shpallur bashkërisht përgjegjës për vdekjen e 23-vjeçares Emily Normandin-Parker, e cila u përplas për vdekje nga automjetet pasi u la në një segment të rrezikshëm të një autostrade në Kaliforni.

Ngjarja ndodhi më 12 gusht 2023, kur e reja dhe shoqja e saj po udhëtonin me Uber pas një mbrëmjeje jashtë. Gjatë rrugës, shoqja e viktimës u ndie keq dhe shoferi ndaloi automjetin në një zonë të palejuar ndërmjet autostradës dhe një rampe daljeje.

Sipas vendimit të arbitrazhit, pas një debati për tarifën e pastrimit, dy pasagjeret u lanë jashtë automjetit, megjithëse ndodheshin në gjendje të dehur. Pak çaste më vonë, Emily hyri në pjesën e qarkullimit dhe u godit për vdekje nga automjetet.

Arbitri Richard Stone vlerësoi se Uber mbante përgjegjësi për neglizhencën e shoferit, duke rrëzuar pretendimin e kompanisë se ajo shërben vetëm si platformë digjitale që lidh pasagjerët me drejtues të pavarur.

Prindërve të viktimës iu njoh një dëmshpërblim prej 40 milionë dollarësh. Uber ka deklaruar se nuk është dakord me përfundimin e arbitrazhit, ndërsa shoferi është larguar nga platforma.

Familja ka krijuar Fondacionin “Emily Normandin-Parker”, përmes të cilit synon të promovojë sigurinë në shërbimet e transportit dhe të mbështesë nisma në kujtim të së resë.

Çështja u zgjidh përmes arbitrazhit privat dhe vendimi nuk krijon precedent ligjor për raste të tjera./ Associated Press

Poll