Dy shqiptarë janë dënuar me nga tetë muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kapën duke kultivuar kanabis në një ndërtesë zyrash pranë qytetit Northwich.
Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura për kultivimin e lëndës narkotike, policia zbuloi rreth 515 bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur deri në 400 mijë paund.
Livan Gjini, 27 vjeç, banues në Stoke-on-Trent, dhe Jetmir Grrica, 23 vjeç, banues në Crewe, pranuan fajësinë për kultivimin e kanabisit gjatë paraqitjes së tyre në Gjykatën e Chesterit, më 2 shkurt 2026.
Një ditë më herët, më 1 shkurt, efektivët e policisë kishin ushtruar kontroll në ndërtesën që ndodhet në Brunel Court. Gjatë ndërhyrjes, ata konstatuan se ambientet tregtare ishin përshtatur dhe përdoreshin për kultivimin e kanabisit.
Hetimet zbuluan gjithashtu se furnizimi me energji elektrike në ndërtesë ishte realizuar në mënyrë të paligjshme.
Gjini dhe Grrica u gjetën nga policia brenda ambienteve ku kultivohej kanabisi. Pas pranimit të fajësisë, të dy u dënuan me nga tetë muaj burg.













