Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Pagat e magjistratëve: A luftohet paligjshmëria me paligjshmëri?!

Shkruar nga Newsbomb
Pagat e magjistratëve: A luftohet paligjshmëria me paligjshmëri?!
Revista Newsbomb

Nga Ola Xama

Përplasja mes ekzekutivit dhe drejtësisë për mënyrën e llogaritjes së pagave të magjistratëve ka paralizuar punën në një pjesë të gjykatëve të vendit, ndërsa çështja për neglizhimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka përfunduar në Prokurorinë e Posaçme. Por më shumë se sa diskutimi se kush ka të drejtë, disa pyetje themelore vlejnë më shumë: a mund të luftohet shkelja e ligjit me shkleje të tij dhe çfarë duhet të ndodhë me qindra vendime të gjyqësorit të cilat i japin të drejtë qytetarëve të thjeshtë por që nuk zbatohen?! Çfarë ka bërë drejtësia në këto raste kur ka qënë përpara abuzimit të shtetarëve me detyrën?  A duhet që luftën gjithmonë ta fitojnë më të fortët?

Fillimisht duhet të sqaroj se në asnjë rast nuk mbështes tezën se vendimet gjykatave duhet të moszbatohen apo se në çështjen për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të axhustuar pagat e magjistratëve ekzekutivi ka të drejtë. Rasti i injorimit të një vendimi gjykate, sidomos të shkallës më të lartë siç është Kushtetuesja është i rëndë, por jo i paprecedentë. Çëshja tregon brishtësinë që kemi si shtet në zbatimin e ligjeve dhe është një pasqyrë e standardeve të qeverisjes.

Si nisi gjithçka

Ishte viti 2016-të. Verë. Punimet e Kuvendit ishin mbyllur me votimin historik të 140 deputetëve të ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi. Tashmë priste të niste puna për kontrollin e pasurisë dhe figurës së gjykatësve dhe prokurorëve, emërimi i institucioneve të reja që do të siguronin pavarësi të këtij pushteti dhe krijimi i paketës financiare që do të trajtonte magjistratët që mbeteshin në sistem dhe të rinjtë që do të hynin.

Shumica kishin marrë pushimet. Socialistët të relaksuar që kishin fituar një betejë disa vjeçare duke e mbyllur me votim unanim, e palët e tjera dyshuese se çfarë do të sillte për ta kjo drejtësi e re dhe kush do ta kishte kontrollin. Në Ministrinë e Financave punohej. Ministër ishte Arben Ahmetaj, i cili prej shkurtit të vitit 2015 kishte zëvendësuar Shkëlqim Canin.

Korridoret në ministri ishin plot. Shumë shkresa dhe disa skenarë për të trajtuar me paga të larta njerzit që do të bënin drejtësi, pensione dinjitoze, dieta, bonuse. Formulat që hartoheshin nuk pëlqeheshin dhe në disa raste Ministria e Financave dërgonte letra në Kryeministri dhe Komisionin e Reformës në Drejtësi për të kundërshtuar barrën e lartë financiare që propozohej.

Megjithatë mazhoranca dukej e palëvizur nga qëndrimi i saj: magjistratët do të merrnin rroga të larta, një nga kushtet që do të garantonte integritetin e tyre dhe do të luftonte korrupsionin në këtë sistem.

Paga referuese bazë për funksionet gjyqtar dhe prokuror, u vendos të ishte e barabartë me punonjësin e shërbimit civil të kategorisë së parë, klasa e tretë në pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri dhe mbi këtë bazë do të llogariteshin shtesat.

Shtesa për pagën shumëzohet me koeficentin 90, 98 dhe 103 përqind në varësi të pozicionit të magjistratit dhe nivelit të prokurorisë dhe gjykatës.

Shtesa për vjetërsi llogaritet mbi pagën bazë në masën 2 për qind deri në 25 vjet shërbim.

Shtesa për vështirësi pune, në masën 60 për qind të pagës bruto fillestare, për magjistratët që ushtrojnë funksionin pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kjo ishte tabela e dakortësuar mes Komisionit të Reformës ne drejtësi dhe Ministrisë së Financave pas negociatave që vazhduan për disa muaj. Paga bruto e një  gjykatësi të shkallës së parë në momentin që fillonte punë do të ishte afro 250 mijë lekë dhe efektet financiare për vitin e parë të zbatimit të reformës së re do të ishin 45 milion euro në vit. Sot shpenzimet për pagat në sistemin e drejtësisë kapin një vlerë vjetore prej 81 milion euro.

Në vitin 2023 Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke lënë tashmë se vlerë referuese në përcaktimin e pagave të magjistratëve 0.36 përqind të pagës së Presidentit të Republikës. I gjithë truku synonte që paga referuese të mos ishte ajo punonjësit të shërbimit civil të kategorisë së parë e cila u rrit ndjeshëm, bashkë me rrogën e Presidnetit, Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit, por të merrej në herarki ajo e presidentit, sa një e treta e tij. Me pagën e Presidentit prej 425.000 lekësh, formula jepte një pagë referuese bazë prej 153.000 lekësh duke sjellë një ulje të fshehtë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 61-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Shtator dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese