Krahas debatit mbi Inteligjencën Artificiale apo çështjet e klimës, krizat në Lindjen e Mesme e lufta në Ukrainë do të dominojnë Asamblenë vjetore të OKB-së, në Nju Jork duke nisur nga 22 shtatori.
Presidenti amerikan, Donald Trump do të flasë të martën në mëngjes.
Lufta që ka nisur kundër Iranit, me pasoja për Lindjen e Mesme dhe ekonominë globale, mbetet përparësi kryesore, ndonëse nuk pritet ndonjë përparim, në mungesë të avancimit në bisedimet Uashington-Teheran.
Kërcënimet ndaj planit të brishtë të paqes në Gaza dhe zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, gjithashtu janë në agjendë.
Zelensky, Netanyahu, por jo Xi
Në Izrael është kohë fushate zgjedhore, por kryeministri Benjamin Netanyahu do të jetë në Nju Jork të enjten e 24 shtatorit, pavarësisht thirrjeve nga kryebashkiaku Zohran Mamdani për ta arrestuar, sipas një urdhërarresti për krime lufte, të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk e njohin.
Si në vitet e kaluara, presidentit palestinez Mahmoud Abbas iu refuzua viza nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, delegacionit iranian, përfshirë presidentit Massoud Pezeshkian, iu dha leja për të udhëtuar në Amerikë, për Asamblenë me punime 7 ditore.
Teksa Moska dhe Kievi po përfshihen në një përshkallëzim vdekjeprurës të sulmeve ajrore me rreze të gjatë veprimi, lufta në Ukrainë qëndron në krye të agjendës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të flasë në Nju Jork të mërkurën e 23 shtatorit e pritet të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurimit mbi konfliktin.
Një mungesë e dukshme është ajo e presidentit kinez. Xi Jinping nuk do të ndalet në Nju Jork në rrugën për në Uashington, ku më 24 shtator pritet të takohet me Trump-in.