
Tensionet mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi të Jemenit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pas një vale sulmesh me raketa dhe dronë kundër disa zonave të mbretërisë saudite.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, deklaroi se grupi kishte përdorur raketa balistike, raketa lundrimi dhe dronë për të goditur “objektiva të ndjeshme” në kryeqytetin Riad, si dhe instalimet e kompanisë shtetërore të naftës “Saudi Aramco” në qytetin bregdetar Yanbu.
Arabia Saudite konfirmoi tentativën për të goditur kryeqytetin, por njoftoi se mbrojtja ajrore kishte interceptuar të paktën një raketë balistike. Autoritetet saudite deklaruan gjithashtu se ishin penguar sulme ndaj infrastrukturës civile në Yanbu, Taif, Baysh dhe ishujt Farasan.
Banorët e Riadit raportuan shpërthime të fuqishme, ndërsa pranë Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” u panë flakë dhe një shtëllungë e madhe tymi të zi. Shkaku i zjarrit nuk është sqaruar ende zyrtarisht, ndërsa autoritetet nuk kanë raportuar viktima apo dëme të konfirmuara.
Alarmet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në Riad dhe në disa qytete të tjera saudite. Sulmi konsiderohet një nga goditjet më të drejtpërdrejta kundër kryeqytetit që prej rikthimit të luftimeve.
Huthët pretenduan se operacioni ishte përgjigje ndaj qindra sulmeve ajrore të kryera nga Arabia Saudite në Jemen, përfshirë goditjet ndaj kryeqytetit Sanaa. Megjithatë, pretendimet e grupit për suksesin e operacionit dhe dëmtimin e objekteve të “Aramco”-s nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Përshkallëzimi vjen pas disa vitesh qetësie relative të krijuar nga armëpushimi i vitit 2022. Luftimet janë intensifikuar edhe në territorin e Jemenit, ku Huthët raportohet se kanë zgjeruar kontrollin përgjatë bregdetit të Detit të Kuq.
Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e rrugëve ndërkombëtare të transportit detar dhe furnizimin global me naftë. Infrastruktura energjetike në Yanbu ka rëndësi strategjike për eksportet saudite, veçanërisht në një periudhë tensionesh të larta në rajon./Versus.al

