Nga Nju Jorku, kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë e me të gjitha mjetet në dispozicion, për korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Vendimin e quajti “të padrejtë juridikisht e moralisht” dhe “të pasaktë historikisht e faktikisht”.
Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm.
Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë, shkroi në Facebook, Kurti.
Kurti njoftoi edhe se në ditën e parë të qëndrimit në Nju-Jork, pati kënaqësinë të kishte një bashkëbisedim frymëzues, “Between Here and Home”, me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë, organizuar nga grupet ZANI, F’Oda dhe Columbia University Albanian Society.
Biseduam mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë të këtij viti, si dhe uljen e papunësisë nga 26% në 10% gjatë qeverisjes sonë.
Sikurse edhe për nevojën për përmirësimin e mëtejshëm në integritetin dhe performancën e sistemit gjyqësor, i cili vazhdon të jetë cak i kritikave në raportet ndërkombetare, përfshirë atë të Komisionit Evropian.
Është e domosdoshme që të rinjtë të kontribuojnë në forcimin e barazisë gjinore dhe në promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në mbarë botën.