Ekzekutimi i Artan Myrtajt në Sarandë/ Saga e hakmarrjeve që nisi pas plagosjes së vitit 2025, 44-vjeçari sapo kishte dalë nga burgu

Artan Myrtaj, 44 vjeç, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”, është personi që mbeti i vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të diele në qendër të Sarandës. Në atentat mbeti i plagosur aksidentalisht edhe një kalimtar, Xhevdet Skëndaj.
Myrtaj u qëllua nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Viktima rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë dhe është përfshirë edhe në një ngjarje plagosjeje të ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës. Në atë rast u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, nga Kamza.
Sipas të dhënave të hetimit për atë ngjarje, autor i plagosjes dyshohet se ishte Ramadan Zoto, ndërsa Artan Myrtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj akuzoheshin për përkrahje të autorit të krimit dhe ndihmë gjatë arratisjes.
Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë nisën një seri përplasjesh dhe hakmarrjesh. Në një prej episodeve u vra me tritol Isuf Jacaj, babai i Klaus Jacajt, ndërsa pati edhe një rast të shkatërrimit të pronës së Ramadan Zotos.
Aktualisht, Ramadan Zoto ndodhet në burg për plagosjen e Ernest Lamës dhe Gëzim Hajdarajt. Ndërkohë, Artan Myrtaj dhe Klaus Jacaj, të akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar para pak kohësh. Në kërkim vijon të jetë Erjon Canaj.
Artan Myrtaj rezulton gjithashtu i dënuar më herët për veprën penale të “vjedhjes”, ndërsa sipas të dhënave të disponueshme, njihej edhe si përdorues i lëndëve narkotike.
/vizionplus.tv




