
Policia ka reaguar zyrtarisht për atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në qendër të Sarandës, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj dhe u plagos një kalimtar i rastit.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:55, në zonën e njohur si ish-agjencia. Në rrethana ende të paqarta, ndaj Myrtajt është hapur zjarr, duke i shkaktuar vdekjen.
Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje. Ai u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se ishin dy persona me skafandra, të cilët lëviznin me motor. Pas sulmit ata u larguan me shpejtësi, ndërsa kjo dinamikë mbetet ende për t’u konfirmuar nga hetimet.
Policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po administron provat për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Njoftimi i Policisë:
“Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.”/Versus.al


