Artan Myrtaj, 44 vjeç, është personi që mbeti i vrarë me armë zjarri paraditen e sotme në Sarandë. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa Myrtaj po lëvizte në rrugë, ndërsa autorët dyshohet se e kanë ndjekur dhe qëlluar me armë.
Sipas informacioneve paraprake, në atentat kanë marrë pjesë dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe ishin të pajisur me skafandra. Pas të shtënave, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 44-vjeçari ka humbur jetën.
Emri i Artan Myrtajt nuk është i panjohur për autoritetet. Ai rezulton i përfshirë në një procedim penal në vitin 2025, pas një ngjarjeje të ndodhur në Sarandë, ku u plagosën me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj.

Në atë kohë, Myrtaj ishte shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës dhe më pas u arrestua, nën dyshimet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ngjarja për të cilën ai u procedua kishte ndodhur në korrik të vitit 2025 dhe dyshohet se lidhej me një konflikt për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës. Në dosjen hetimore, autoritetet dyshonin se Myrtaj kishte ndihmuar persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen e plagosjes.
Sipas materialeve të hetimit të publikuara më herët, emri i Artan Myrtajt ishte përfshirë mes personave të dyshuar në lidhje me plagosjen e Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Ndërkohë, lidhur me vrasjen e sotme, Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të atentatit.


