44-vjeçari Artan Myrtaj u ekzekutua në Sarandë kur sapo ishte ulur për kafe, në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencisë.
Dy autorët e ardhur nga rruga “Lefter Talo” iu afruan dhe qëlluan të paktën dy herë me armë zjarri.
Lokali ndodhet në mes të qytetit bregdetar jugor dhe kur pikasi autorët, Myrtaj tentoi të largohej me vrap drejt rrugës “Vangjel Pandi”. Por, pasi vazhduan të qëllonin, 44 vjeçari mbeti i vrarë në mes të rrugës.
Më pas, pranë trupit të pajetë tentoi të afrohej nëna e viktimës, e cila shpërtheu në lot duke vajtuar djalin. Një grua dhe një efektiv, u përpoqën ta mbanin.

Plumbat nuk kursyen as një kalimtar të rastit, i cili mbeti i plagosur. Sa i përket Artan Myrtajt, ai rezultonte i përfshirë në plagosjen e një viti më parë të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamës nga vëllezërit Erion e Ramadan Canaj, në lidhje me një pronë në vijën bregdetare të Sarandës.
Më 2025-ën, ishte arrestuar nga uniformat blu për “Përkrahje të autorit të krimit”.