Koreja e Veriut sot lëshoi një raketë balistike në det, në lindje të Gadishullit Korean. Lajmin e dha Ministria e Mbrojtjes e Japonisë. Reagoi edhe Koreja e Jugut.
Pheniani ka lëshuar një predhë të paidentifikuar.
Sipas mediave japoneze, “raketa ra jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë”.
Një ditë më parë, Koreja komuniste kundërshtoi një rezolutë të Agjencisë së OKB-së për Mbikëqyrje të Programit Bërthamor të vendit.
Javën e kaluar, Pheniani dënoi edhe një stërvitje detare të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ku morën pjesë Koreja e Jugut dhe Japonia. Manovrat u zhvilluan nga 29 gushti deri më 10 shtator, pranë Guamit.
Kim Yo Jong, motra me ndikim e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të premten fajësoi stërvitjet ushtarake të drejtuara nga SHBA-të për tensionet “gjithnjë e më të përkeqësuara” në Gadishullin Korean dhe u zotua se nuk do të ketë ndryshim në rrugën e vendit për forcimin e arsenalit të tij bërthamor.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut, sot mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC).
Duke dënuar lëshimin e raketës, e dyta në rreth një javë, pas një testi të mëparshëm më 12 shtator, NSC-ja i bëri thirrje Phenianit t’i ndalë menjëherë aktivitetet me raketa, duke paralajmëruar se shkelin drejtpërdrejt rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.