Një 34-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.
Policia Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë kapur në hyrje të Shqipërisë dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasin kosovar Y. A., 34 vjeç, banues në Ferizaj.
Arrestimi është bërë gjatë kontrolleve dhe verifikimeve të kryera në pikën e kalimit kufitar, në kuadër të masave për evidentimin dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga verifikimet e kryera dhe informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, ka rezultuar se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.
Ndaj tij, Gjykata e Wiesbadenit në Gjermani kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, sipas legjislacionit penal gjerman.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët gjermanë, vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 34-vjeçarit drejt Gjermanisë, ku do të përballet me procedurat gjyqësore për veprën penale për të cilën është shpallur në kërkim.


