“Partneritet për mbrojtjen e mjedisit”, Rama: Bashkëpunim me bizneset e agroturizmit në zonat me rrezik për zjarre

Kryeministri Edi Rama ka propozuar një ide partneriteti me bizneset që operojnë në zonat turistike.
Në podcastin e tij “FLASIM”, kreu i qeverisë kërkon bashkëpunim mes Ministrisë së Mjedisit dhe sektorit të agroturizmit për sinjalizimin e problematikave që mund të vijnë nga prerja e paligjshme deri tek ndërtimet pa leje.
“Secili ka punën e vet, por së bashku në një territor të caktuar, dhe kujdesen për të duke lajmëruar në kohë kur ka një problem të pastrimit të pyllit që e bën më vulnerabël ndaj zjarrit, kur ka nevojë për pastrim të një sasie të caktuar mbetjesh, kur ka nevojë për të ndaluar zhvillime pa leje e prerje të paligjshme”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se synimi është edhe krijimi i një fondi për të mbështetur këto iniciativa vullnetare.
“Ne kemi filluar të ftojmë komunitetit që kushdo të krijojë një shoqatë për mbrojtjen e territorit që merr përsipër, të lidhet me Ministrinë e Mjedisit. Do mundohemi të krijojmë një fond për ta mbështetur këtë iniciativë pa qëllim fitimi. Ky është vullnetarizëm sepse së bashku mbrojmë produktin e madh. Lumi i Shalës është një brand dhe duhet mbrojtur. Nëse ai prishet të gjithë që punojnë prej tij lëndohen”, tha Rama.
Sipas Ramës, qeveria ka nisur punën duke ftuar bizneset lokale në mënyrë që të krijohet një rrjet bashkëpunimi.
/vizionplus.tv




