Aktualitet

Kalimtari u plagos në atentat në Sarandë, 73-vjeçari dërgohet te Trauma në Tiranë!

U nis me helikopter drejt Tiranës kalimtari i plagosur sot në qendër të Sarandës, në atentatin që i mori jetën 44 vjeçarit Artan Myrtaj.

I lënduar mbeti Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili ka marrë një plagë me armë zjarri në gjymtyrët e poshtme. Në Spitalin e Traumës u dërgua për mjekim më të specializuar.

Shënjestër ishte viktima Myrtaj, i arrestuar vitin e kaluar si i përfshirë në një plagosje të dyfishtë po në Sarandë, në një përplasje për çështje prone.

Ai u ekzekutua në Sarandë kur sapo ishte ulur për kafe, në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencisë. Dy autorët e ardhur nga rruga “Lefter Talo” iu afruan dhe qëlluan të paktën dy herë me armë zjarri.

Lokali ndodhet në mes të qytetit bregdetar jugor dhe kur pikasi autorët, Myrtaj tentoi të largohej me vrap drejt rrugës “Vangjel Pandi”. Por, pasi vazhduan të qëllonin, 44 vjeçari mbeti i vrarë në mes të rrugës.

Më pas, pranë trupit të pajetë tentoi të afrohej nëna e viktimës, e cila shpërtheu në lot duke vajtuar djalin.