E njohur si “eksperte punësimi” 39-vjeçarja Kumrie Zika, emri i të cilës është përmendur në episode të shumta grabitjesh të bizneseve, është vënë në pranga së fundmi nga blutë e Tiranës. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Zika, si në rastet e mëparshme, punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore.
Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja” kanë bërë të mundur arrestimin e 39-vjeçares.
Kjo nuk është hera e parë që Kumrie Zika përdor të njëjtin skenar për të kryer vjedhje në biznese të ndryshme. Siç kemi raportuar dhe më parë, Zika synonte të punësohej në këto biznese dhe pastaj vijonte me vjedhjet e xhirove ditore.
Më 5 gusht ajo ka vjedhur një shumë prej 5 milionë lekësh në një pikë të këmbimi valutor në Vlorë. Ndërsa më herët më 15 korrik, pre e skemës së Zikës ra një pikë këmbimi valutor dhe transferta parash në zonën e “Varrit të Bamit”, ku ajo ishte punësuar dhe kishte ditën e parë të punës.
Duke qenë se biznesi ishte në kërkim të një punonjëseje, drejtuesit e tij e kishin rekrutuar gruan në fjalë. Zika gjatë gjithë kohës ka qenë e shoqëruar nga një punonjës tjetër, por në një moment të shkurtër, kur ai është shkëputur për disa sekonda, ajo ka kryer vjedhjen.
Ajo ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka e biznesit dhe më pas është larguar në rrugicat e lagjes. Sipas të dhënave paraprake, kjo është vjedhja e katërt që i atribuohet Zikës në një periudhë të shkurtër kohore.
Megjithatë, arratia e saj ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi biznesi i dëmtuar ka njoftuar policinë. Efektivët kanë arritur ta identifikojnë menjëherë Zikën dhe më pas e kanë arrestuar në zonën e “21 Dhjetorit”.
Referuar njoftimit të Policisë, kjo mbetet e gjashta herë ku mësohet se Kumrie Zika ia ka arritur qëllimit të saj, duke vjedhur sërish xhirot ditore të pesë bizneseve të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2.
Kujtojmë se Kumrie Zika rezulton të jetë një personazh i njohur publik, pasi është shfaqur më herët në televizione të ndryshme si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës. Ndërkohë që gjatë kësaj vere emri i saj ka kryesuar mediat për vjedhjet e kryera në biznese të ndryshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja.
Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme "Shqiponja".
Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
