E diel, 20 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Interes për fondin privat të pensionit, ekspertët: Është rritur numri i qytetarëve që investojnë

Sa do të vlejë pensioni ynë pas 20 apo 30 vitesh? Përballë një skeme publike ku pensioni shpesh nuk mjafton për të ruajtur të njëjtin standard jetese, disa qytetarë po zgjedhin të krijojnë një burim të dytë të ardhurash për të ardhmen, përmes fondeve private të pensionit.

Por sa e sigurt është kjo zgjedhje dhe, mbi të gjitha, sa do të vlejnë realisht këto para kur të dalim në pension?

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të vitit të kaluar numëroheshin rreth 50 mijë qytetarë që investonin në fondet private të pensionit, me një rritje prej 11.2% krahasuar me një vit më parë.

“Bëhet fjalë për një investim afatgjatë, që shkon në disa vite, dhe si i tillë vetë fondi investohet në periudha afatgjata. Kjo do të thotë se mund të ketë një kthim më të madh nga investimi, në krahasim me interesat që ka një depozitë. Gjithashtu, depozitat që vendosen në banka do të përdoren për kredi apo do të investohen në obligacione. Kryesisht, fondet e pensionit investohen në obligacione dhe tituj financiarë me siguri të lartë, sepse vetë legjislacioni dhe rregullat e AMF-së kërkojnë kujdes në investimin e tyre”, tha Artur Ribaj, ekspert bankar/sigurimesh.

Reklamë

Pra, fondet private të pensionit janë një instrument investimi afatgjatë dhe investimet e tyre orientohen kryesisht drejt instrumenteve me rrezik më të kontrolluar, si obligacionet dhe titujt financiarë.

Por pikërisht për shkak se kursimet do të qëndrojnë të investuara për një periudhë të gjatë, një tjetër faktor bëhet vendimtar: norma e kthimit.

Nëse kthimi i investimit nuk arrin të kompensojë rritjen e çmimeve, fuqia blerëse e kursimeve mund të jetë më e ulët në momentin kur ato do të përdoren.

“Dihet që përgjatë kohës vlera e parasë gërryhet nga inflacioni dhe nga kursi i këmbimit për ata që i mbajnë paratë në valutë të huaj. Ka gjithmonë një pasiguri për të ardhmen në lidhje me kursimet e sotme. Përgjithësisht, fondet e pensioneve duhet të garantojnë norma kthimi aq të larta sa të ruajnë në kohë vlerën e parasë. Por, duke pasur parasysh që tregu financiar në Shqipëri nuk të ofron shumë zgjidhje për investim, është e kuptueshme që normat e kthimit të investimeve, përfshirë edhe fondet e pensioneve, mbeten në nivele modeste dhe të ulëta”, tha Selami Xhepa, ekspert ekonomie.

Pensioni privat mbetet një investim që duhet parë në një horizont shumëvjeçar. Kontributet e vogla mujore mund të krijojnë një kapital të konsiderueshëm me kalimin e kohës, por vlera përfundimtare nuk varet vetëm nga shuma që depozitohet. /Hamit Yzeiraj

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.