
Një 39-vjeçare e shpallur në kërkim është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej përkohësisht në biznese të ndryshme me qëllim vjedhjen e xhirove ditore.
Në pranga u vendos Kumrie Zika, e njohur edhe si “Kumi”. Sipas Policisë, ajo paraqitej pranë subjekteve për t’u punësuar dhe, brenda ditëve të para, dyshohet se merrte paratë e arkëtuara dhe largohej.
Arrestimi u krye në ambientet e një lokali në kryeqytet nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2.
Hetimet kanë dokumentuar deri tani pesë raste vjedhjesh në biznese që ndodhen në territoret e dy komisariateve. Policia po punon për të zbuluar nëse 39-vjeçarja mund të jetë përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Versus.al

