Miopia te të vegjlit, rriten rastet! Mjekët: Shkak kryesor qëndrimi i gjatë në telefon

Orët e gjata para telefonave, kompjuterave apo tabletëve, por dhe mungesa e kohës së kaluar në ambiente të hapura, po ndikojnë në shëndetin e syve të fëmijëve. Përdorimi pa kriter dhe i zgjatur i këtyre pajisjeve digjitale po shoqërohet me rritje të rasteve të miopisë tek moshat e vogla.
“Në vitet e sotme shohim një rritje të miopisë tek fëmijët e vegjël, sepse përdorimi i ekraneve është faktori kryesor. Kalimi i një kohe shumë të gjatë brenda, ku fëmijët mund të loznin në natyrë. Shofim fëmijë të cilët mund të mos kenë asnjë lloj historiku familjar, të miopisë, të një numri të një vështirësie për të parë nga larg”, tha Matina Cobo, mjeke okuliste.
Mjekët rekomandojnë që fëmijët të kryejnë kontrolle të syve që në moshë të hershme, veçanërisht kur në familje ka histori të problemeve me shikimin.
“Megjithatë në rast se një fëmijë vjen nga një familje me një trashëgueshmëri qoftë për një numër syzesh, qoftë për shtrëmbërime të syve apo për patologji të tjera, e mira do të ishte që vizita të kryhej para moshës 1 vjeç. Në qoftë se prindërit, kujdestarët apo mësuesit vërejnë shenja shqetësuese të cilat mund të jenë afrimi i kokës shumë pranë librave, picërrimi i syve për të parë në distancë, pulitja e shpeshtë e syve ose dhimbje koke pasi kanë bërë detyra ose kanë lexuar një libër”, u shpreh Cobo.
Megjithatë krahas kontrolleve perioduke mjekët këshillojnë edhe kufizimin e kohës para ekraneve dhe qëndrimin më të gjatë në ambiente të hapura.
“Ne shohim përditë fëmijë të cilëve fatkeqësisht u vendosin syze, madje kemi nga ato raste që prindërit e kanë të vështirë të pranojnë që fëmija i tyre duhet të vendosi syze. Deri në moshën 2 vjeç nuk sugjerohet asnjë kontakt me ekranet sidomos ato më të afërta, në mosha më të rritura mund të lejojmë 30 minuta, 60 minuta maksimimi për fëmijët 4 vjeç. Edhe për të rriturit nëse kalojmë një orë kohë para një ekrani, qoftë telefoni apo komjuteri ne duhet të bëjmë pushim duke parë nga dritarja jashtë që të relaksohen muskujt”, tha mjekja okuliste.
Edhe pse miopia tashmë është kthyer në një shqetësim global, me shifra që vijojnë të rriten, duket se ndërgjegjësimi i prindërve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta te mjeku okulist është rritur ndjeshëm. Kjo ka bërë të mundur identifikimin në kohë të problemeve të shikimit te fëmijët dhe marrjen e masave të nevojshme për trajtimin dhe menaxhimin e tyre.
/vizionplus.tv




