
Kompania e njohur e këpucëve Converse ka tërhequr një reklamë dhe ka kërkuar falje publike, pas reagimeve të shumta se imazhet e përdorura në fushatë ngjanin me simbolet e Ku Klux Klan-it dhe linçimet raciste.
Në reklamën për atletet “Chuck 70 X” dhe “Run Star Crush” shfaqej Karina, pjesëtare e grupit koreano-jugor Aespa.
Ajo qëndronte nën një ndriçim në formë ylli, ndërsa hija e krijuar në sfond u interpretua nga shumë përdorues të rrjeteve sociale si kapuçi karakteristik i Ku Klux Klan-it.
Kritika shkaktoi edhe mënyra se si këngëtarja mbante një palë atlete të zeza, pasi disa përdorues pretenduan se kompozimi vizual sillte ndër mend imazhet e linçimeve.
Reagimet u shtuan pas publikimit të një tjetër fotografie promovuese, ku dy modele ngjiteshin në një shkallë druri për të arritur disa palë këpucësh të varura në degët e një peme.
Pas kritikave, kompania në pronësi të Nike njoftoi se kishte hequr materialet nga kanalet e saj dhe po punonte për eliminimin e tyre nga çdo platformë ku ishin publikuar.
“E kuptojmë pse ky imazh është thellësisht shqetësues dhe pranojmë se kemi gabuar. Kjo nuk duhej të kishte ndodhur dhe do të bëjmë më mirë”, deklaroi Converse.
Megjithatë, kërkesa për falje nuk i ka ndalur reagimet. Disa konsumatorë kanë publikuar video duke djegur atletet e markës, ndërsa kongresmeni amerikan Troy Carter kërkoi përgjegjësi më të madhe nga Converse dhe Nike, duke theksuar se simbolet e linçimit dhe Ku Klux Klan-it lidhen me një histori terrori dhe dhune racore.
Ngjarja ka hapur një debat të gjerë mbi përgjegjësinë e kompanive dhe nevojën për kontroll më të kujdesshëm të mesazheve që përcillen përmes fushatave reklamuese./Versus.al


