Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për reagimin ndaj vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës do të përdorë mjetet që ka në dispozicion për të mbështetur ekipet mbrojtëse gjatë procesit të apelimit.
Sipas tij, reagimi duhet të shtrihet edhe në planin diplomatik, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”, deklaroi Kurti.
Kryeministri shtoi se Kosova do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”, u shpreh ai.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan në shkallën e parë me një total prej 81 vitesh burg. Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e vendimit, ndërsa në Kosovë janë zhvilluar protesta kundër tij./Versus.al

