Qeveria italiane po përgatit një masë që parashikon vendosjen e një numri maksimal të nxënësve të huaj në çdo klasë, si dhe ndalimin e burkës dhe nikabit në shkolla.
Lajmin e bëri të ditur kryeministrja Giorgia Meloni gjatë aktivitetit “Fenix”, të organizuar nga lëvizja rinore e partisë “Vëllezërit e Italisë”. Sipas saj, propozimi pritet të paraqitet së shpejti në Këshillin e Ministrave.
“Nëse në një klasë ndodhet vetëm një fëmijë që nuk kupton italisht, ai mund ta mësojë shpejt gjuhën dhe të integrohet me ndihmën e shokëve dhe mësuesve. Por, nëse numri i fëmijëve që nuk e kuptojnë gjuhën bëhet i lartë, apo ata përbëjnë shumicën, atëherë nuk kemi më integrim, por braktisje”, deklaroi Meloni.
Kryeministrja nuk bëri të ditur se cili do të jetë kufiri maksimal i nxënësve të huaj në një klasë. Masa parashikon gjithashtu që prindërit e nxënësve të huaj, të cilët përballen me vështirësi serioze integrimi në shkollë, të mësojnë gjuhën italiane.
Duke folur për ndalimin e mbulimit të plotë të fytyrës, Meloni deklaroi se nxënësit duhet të paraqiten në shkollë me fytyrë të zbuluar.
“Në Itali askush, në emër të një tradite të vërtetë apo të pretenduar, nuk mund të vendosë që një vajzë e re duhet të mbulohet. Në shkollë duhet të shkohet me fytyrë të zbuluar”, u shpreh ajo.
Sipas të dhënave të Fondazione ISMU, nxënësit që nuk kanë shtetësi italiane përbëjnë rreth 11.6% të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në shkollat e Italisë./Versus.al

