Çfarë do të gjeni në brendësi
* Një atentat me armë zjarri ndodhi në qendër të Sarandës, pranë ish-Agjencisë së Vjetër. * Nga të shtënat humbi jetën 42-vjeçari Artan Myrtaj, ndërsa u plagos edhe një kalimtar. *Autorët dyshohet se ishin dy persona me skafandra, të cilët u larguan nga vendngjarja me motor *Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita ka mbërritur me urgjencë në Sarandë ku ka zhvilluar mbledhje me strukturat vendore të policisë
VIDEO/ Ekzekutimi i 44-vjeçarit, Hita mbërrin me urgjencë në Sarandë. Takim me strukturat vendore të policisë

Pas vrasjes së 44-vjeçarit Artan Murtaj, i ekzekutuar me armë zjarri paraditen e kësaj të diele në Sarandë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur në qytetin bregdetar, ku ka zhvilluar takime me drejtuesit vendorë të Policisë.
Gjatë takimit, Hita ka kërkuar një hetim të shpejtë dhe të thelluar për ngjarjen, si dhe një skanim të plotë të situatës kriminale në Sarandë. Sipas tij, duhet të evidentohen konfliktet më të mprehta, por edhe ato në dukje më të vogla, personat me precedentë penalë dhe kontingjenti kriminal që vepron në zonë, përfshirë edhe persona që vijnë nga qytete të tjera.
“Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, deklaroi Hita.
Në kuadër të operacionit për zbardhjen e vrasjes, kontrollet po kryhen edhe me dronë në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon administrimin dhe analizimin e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Pas ngjarjes, policia ka ngritur gjithashtu pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa vijon kërkimi për personat e dyshuar.
Nga të shtënat që i morën jetën 44-vjeçarit Murtaj, mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastësishëm. 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj u qëllua në shpinë teksa po kalonte rrugën dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët kanë lëvizur me motor dhe kanë mbajtur skafandra, ndërsa më pas janë larguar nga vendngjarja.
Takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me strukturat vendore vjen pas një serie ngjarjesh të rënda kriminale të regjistruara muajt e fundit në qytetin bregdetar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të krimit./Versus.al
At*ntati në Sarandë, Artan Myrtaj tentoi të largohej sapo pikasi autorët (detaje nga ekzekutimi)
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati në qendër të Sarandës, ku u vra me armë zjarri 44-vjeçari Artan Myrtaj.
Sipas të dhënave paraprake, Myrtaj sapo ishte ulur për të pirë kafe në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencisë, kur dy persona iu afruan nga rruga “Lefter Talo”.
Mësohet se 44-vjeçari i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të largohej me vrap në drejtim të rrugës “Vangjel Pandi”. Dyshohet se të dy agresorët kanë hapur zjarr, duke e qëlluar të paktën dy herë.
Myrtaj mbeti i pajetë në mes të rrugës, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të rindërtuar dinamikën e plotë të atentatit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve./Versus.al
Vr*sja e 44-vjeçarit në Sarandë, reagon Policia: Plagoset një kalimtar, ngrihen pika kontrolli drejt Vlorës dhe Gjirokastrës

Policia ka reaguar zyrtarisht për atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në qendër të Sarandës, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj dhe u plagos një kalimtar i rastit.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:55, në zonën e njohur si ish-agjencia. Në rrethana ende të paqarta, ndaj Myrtajt është hapur zjarr, duke i shkaktuar vdekjen.
Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje. Ai u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se ishin dy persona me skafandra, të cilët lëviznin me motor. Pas sulmit ata u larguan me shpejtësi, ndërsa kjo dinamikë mbetet ende për t’u konfirmuar nga hetimet.
Policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po administron provat për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Njoftimi i Policisë:
“Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.”/Versus.al
I arrestuar në vitin 2025, u ekzekutua në mes të Sarandës, publikohet fotoja e 44-vjeçarit

Artan Myrtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”, është 44-vjeçari që u vra me armë zjarri në qendër të Sarandës.
Emri i tij rezulton i lidhur me hetimet për një ngjarje kriminale të ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të qytetit, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, të dy nga Kamza.
Sipas të dhënave të raportuara, autor i dyshuar i plagosjes ishte Ramadan Zoto. Artan Myrtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Jaçaj dyshohej se e kishin ndihmuar atë të largohej pas ngjarjes.
Pas këtij episodi, në Sarandë u regjistruan disa ngjarje të tjera të rënda, të dyshuara si akte hakmarrjeje. Mes tyre ishte vrasja me eksploziv e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt, si dhe dëmtimi i pronës së Ramadan Zotos.
Autoritetet po hetojnë rrethanat dhe motivet e ekzekutimit të Artan Myrtajt, si dhe nëse vrasja e tij lidhet me konfliktet e mëparshme të regjistruara në qytetin bregdetar./Versus.al
U ekz*kutua në mes të rrugës në Sarandë, kush është 42-vjeçari që u qëllua nga dy persona me motor

Detaje të reja janë bërë të ditura nga atentati me armë zjarri i ndodhur në qendër të Sarandës.
Viktima është identifikuar si 42-vjeçari Artan Myrtaj, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Nga të shtënat është plagosur aksidentalisht edhe një kalimtar, i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si ish-Agjencia e Vjetër e qytetit. Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar me motor menjëherë pas atentatit.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po mbledh provat dhe po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar dinamikën e krimit.
Motivi i atentatit mbetet ende i paqartë, ndërsa pritet njoftimi zyrtar i Policisë për rrethanat e plota të ngjarjes./Versus.al
Vrasje me armë zjarri në Sarandë, plagoset edhe një kalimtar

Një ngjarje e rëndë është raportuar në Sarandë, ku një person dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Gjatë të shtënave është plagosur edhe një kalimtar, i cili është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore. Për momentin nuk ka informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka rrethuar zonën, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e dinamikës, identifikimin e viktimës dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Pritet njoftimi zyrtar i Policisë me të dhëna të mëtejshme./Versus.al

