Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve në Fushë-Krujë.
Dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, pasi flakët janë përhapur në të gjithë sipërfaqen e vendgrumbullimit. Ky është rasti i disatë brenda dy muajve që këtij vendgrumbullimi i vihet flaka.
Aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat përreth, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv. Ndërhyrja me mjete zjarrfikëse është e vështirë për shkak të natyrës së mbetjeve që digjen.
Në vendngjarje ndodhet reparti zjarrfikës, ndërsa një fadromë po punon për mbulimin e mbetjeve me dhe, si një nga mënyrat e përdorura për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Ndërkohë, një re e dendur tymi ka mbuluar zonën. Në varësi të drejtimit të erës, tymi është përhapur edhe në drejtim të Kamzës dhe Mamurrasit, duke krijuar probleme për cilësinë e ajrit në zonat përreth.
Autoritetet pritet të përcaktojnë nëse zjarri është shkaktuar qëllimisht dhe të identifikojnë përgjegjësit, nëse dyshimet konfirmohen.
© SYRI.net