Dhjetëra shqiptarë janë mbledhur mesditën e sotme në sheshin Heldenplatz në Vjenë, në një tubim solidariteti pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj dënimeve të dhëna për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërsa në duar mbanin flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së. Tubimi në Vjenë është pjesë e valës së protestave të diasporës shqiptare në disa vende evropiane dhe në Kanada.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si ‘Liri për çlirimtarët’, ‘Jo në emrin tim’, ‘UÇK, UÇK’ dhe ‘O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke’.
Në mesin e protestuesve ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isë Berisha, i cili e cilësoi tubimin si shprehje të krenarisë, dhimbjes dhe ndërgjegjes kombëtare.

‘Sot na ka mbledhur krenaria, dhimbja dhe ndërgjegjja jonë kombëtare. Nuk do të heshtim për dëshmorët tanë, nuk do të heshtim për veteranët tanë, nuk do të heshtim për familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës’, u shpreh Berisha.
Vendimi i Dhomave të Specializuara u shpall më 16 shtator. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite, në një total prej 81 vitesh burgim. Gjykata i shpalli fajtorë për akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Protesta në Vjenë pason tubime të ngjashme të diasporës shqiptare në Gjermani, Zvicër, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, pas aktgjykimit të shkallës së parë.
© SYRI.net
Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit
Kurti: Ruajtja e gjuhës shqipe, përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm
A duhej pritur vendimi i Apelit? Haga nis procedurën për kompensimin e viktimave