Lajmi i fundit

LIVE/ Syri i Botës

VIDEO/ Dasho: Ministrja nuk duhet të bëjë premtime pajisjesh, detyra e saj të menaxhojë sistemin shëndetësor

17:16, 20/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mjeku Erion Dasho, i ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, ka kritikuar mënyrën se si po menaxhohet sistemi shëndetësor dhe rolin e ministres së Shëndetësisë.

Dasho u shpreh se ministrja nuk duhet të dalë në Parlament për të bërë premtime për blerjen e pajisjeve mjekësore, por duhet të garantojë funksionimin dhe menaxhimin e strukturave që janë në varësi të saj.

Duke folur për institucionet e krijuara në sistemin shëndetësor, ai kritikoi veçanërisht strukturat që menaxhojnë prokurimet dhe fondet publike. Sipas Dashos, kërkesa e opozitës për interpelancë është e lidhur me mënyrën e funksionimit të këtyre institucioneve dhe me emërimet në drejtimin e tyre.

Ai ngriti gjithashtu pretendime për konflikt të mundshëm interesi lidhur me emërimin e një personi të afërt me familjen e kryeministrit në drejtimin e një institucioni që menaxhon fonde të konsiderueshme.

Mjeku theksoi se blerja e një pajisjeje si PET-Skaneri nuk duhet të jetë një premtim politik i ministres, por pjesë e një planifikimi institucional të sistemit shëndetësor.

Dasho përmendi edhe mungesa të tjera në sistem, duke iu referuar rezonancës funksionale magnetike, akseleratorëve linearë dhe robotëve kirurgjikalë Da Vinci.

Në përfundim, ai deklaroi se fondet e destinuara për shëndetësinë duhet të menaxhohen në mënyrë transparente dhe institucionet duhet të kenë më shumë autonomi në funksionimin e tyre.

‘Në radhë të parë, kjo tregon dhe një mungesë serioziteti nga ana e ministres dhe nuk vë ministrja baste dhe nuk premton ministrja të sjellë pajisje. Ministrja ka një strukturë varësie, që ka më shumë se 20 mijë mjekë dhe infermierë, ka institucione, një pjesë e të cilave janë parazitë, për të qenë të ndershëm.

Pra, janë krijuar disa institucione, si operatorët e shëndetit, të cilët, për mendimin tim, nuk shkojnë aspak në sistemin që ka patur shëndetësia shqiptare. Ky është një objekt aq i gjerë sa, po të nisim ta analizojmë, do na duhet të përsërisim edhe një herë kohën që kemi marrë në këtë emision.

Këtu kemi, pra, siç e thashë, është e drejtë ajo kërkesë për interpelancë e opozitës, sepse lidhet me atë që folëm deri tani. Pra, ky institucion që është krijuar, ky institucion mamuth, i cili do të tenderojë vjetra, për të mos thënë qindra milionë euro, opozita ka kapur se në krye të këtij institucioni është emëruar një i afërm i kryeministrit.

Ky është një skandal që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Pra, që në një vend ku tenderohen, në një vend ku menaxhohen fonde të tilla, papritmas merret një person i panjohur, një person i cili e vetmja gjë që e dallon në të gjithë atë karrierë që ka drejtuesja në fjalë, është që është e afërm e bashkëshortes së kryeministrit.

Pra, është, për mendimin tim, një këmbanë alarmi që një i afërm i kryeministrit vendoset në këtë pozicion. Për të ardhur pastaj tek mënyra se si ministrja bëri një premtim, të cilin mund ta bënte atë premtim fare mirë drejtuesi i qendrës biomjekësore në QSUT, që e ka detyrë ta planifikojë dhe ta sjellë këtë aparaturë, mund ta bënte shefi i departamentit të neurokirurgjisë ose të onkologjisë ku kjo aparaturë do të instalohet.

Por të dalë ministri në Parlament dhe të deklarojë që do të sjellë këtë apo atë aparaturë, kjo është diçka që, ndoshta ministrja është e re në detyrë, do të fillojë të mësojë natyrisht edhe se cili është objektivi i saj.

Objektivi i ministres është të bëjë politika të drejta, objektivi i ministres është të mbikëqyrë sistemin shëndetësor, të garantojë që strukturat e varësisë poshtë saj janë të afta të prokurojnë, jo vetëm një pajisje, por mbi të gjitha ta vendosin këtë pajisje në kontekst. Sepse PET Skaneri dhe çdo pajisje tjetër që ka nevojë, rezonanca funksionale magnetike, aparatura të tjera siç janë ato të akseleratorëve linearë, pra ka shumë, robotët Da Vinci për kryerjen e operacioneve kirurgjikale, ka shumë mungesa sistemi shëndetësor shqiptar të cilat mund të zgjidhen dhe ministrja ka për detyrë të garantojë një gjë, të garantojë që paret e destinuara për qytetarët shqiptarë, për kujdesin shëndetësor, të mos vidhen dhe të abuzohen, siç janë abuzuar dhe vjedhur deri tani.

Dhe në qoftë se këto pare mirëmenaxhohen, shtohen gradualisht, dhe lihen institucionet e varësisë të punojnë në mënyrë autonome dhe në mënyrë të decentralizuar, të gjitha problemet do të zgjidhen, pa qenë nevoja as të betohet ministri në Parlament, dhe pa qenë nevoja as të bëhen objekt interpelancash, sepse nuk janë të tilla.’, u shpreh mjeku Erion Dasho në SYRI TV.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco