web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Como pëson humbjen e parë, Mitaj ndjek nga stoli disfatën e Genoas

20 Shtator 2026, 17:41, Sport CNA

Como pëson humbjen e parë, Mitaj ndjek nga stoli disfatën e

Como pësoi humbjen e parë sezonale. Skuadra e drejtuar nga Çesk Fabregas u mposht 2-0 në transfertë nga Frosinone.

Como e nisi ndeshjen në sulm dhe pati një mundësi të trefishtë për të kaluar në avantazh që në minutën e 7-të. Fillimisht, Douvikas goditi me kokë pranë portës, por Palmisani reagoi shpejt dhe ndali tentativën. Aksioni vazhdoi dhe Baturina goditi nga brenda zonës, por topi u bllokua në vijën e portës.

Vetëm pak çaste më vonë, një top i dërguar në zonë u devijua nga Da Cunha drejt portës, por Palmisani ndërhyri sërish dhe e dërgoi topin në shtyllën e djathtë.

Frosinone shpëtoi nga këto raste dhe pak minuta më vonë arriti të shënonte. Romano Schmid pasoi topin në zonë për Calon, i cili goditi menjëherë. Topi u devijua nga Luis Mila dhe ndryshoi drejtim, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e Butez.

Como tentoi të reagonte para pushimit dhe pati një tjetër mundësi me Nico Paz, por pa sukses. Në shtesën e pjesës së parë, Frosinone shfrytëzoi një aksion të shpejtë në kundërsulm. Schmid dha pasimin për Kvernadze, i cili shmangu Oyono brenda zonës dhe goditi saktë për të dyfishuar avantazhin.

Në pjesën e dytë, Como u përpoq të gjente golin që do ta rikthente në ndeshje. Nico Paz ishte ndër lojtarët që kërkuan të rrezikonin, ndërsa Moise Kean, i futur pas pushimit, i dha më shumë lëvizje sulmit të skuadrës mike.

Como nuk arriti të gjente golin dhe Frosinone ruajti avantazhin deri në fund. Portieri Palmisani ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores, pas disa ndërhyrjeve vendimtare gjatë gjithë takimit.

Kjo fitore e ngjit Frosinonen në vendin e pestë me 10 pikë, ndërsa Como zbret në vendin e gjashtë.

Genoa e Daniele De Rossit pësoi një tjetër humbje, këtë herë 2-1 në transfertën ndaj Parmës. Skuadra vazhdon të ketë vështirësi në kampionat, ndërsa për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, nuk pati minuta në këtë takim.

Mbrojtësi i majtë e ndoqi ndeshjen nga stoli dhe ende nuk ka debutuar në Serinë A me fanellën e Genoas. Mbrojtësi shqiptar iu bashkua klubit në fund të merkatos së verës, por pas ndeshjes ndaj Parmës vazhdon të presë paraqitjen e parë në kampionatin italian.





Lajmet e fundit nga