
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka zhvilluar një vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku ka takuar punonjësit e Policisë Kufitare në Rinas.
Në takim ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Demo falënderoi efektivët për angazhimin gjatë sezonit turistik, veçanërisht për përballimin e flukseve të larta të udhëtarëve në pikën kryesore kufitare ajrore të vendit.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë muajit gusht në Rinas janë përpunuar rreth 55 mijë pasagjerë në ditë, ndërsa shërbimet kufitare kanë funksionuar me regjim 12-orësh gjatë sezonit turistik.
“Ju jeni fytyra e parë që udhëtarët shohin kur mbërrijnë për vendin tonë dhe marrëdhënia që ne krijojmë me këdo që futet në kufi, qytetarë vendas e të huaj, është siguria që duam të përçojmë”, deklaroi Demo.
Ministri vlerësoi profesionalizmin e punonjësve dhe theksoi se sjellja e efektivëve në pikat kufitare është pjesë e rëndësishme e shërbimit ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përdorimin e teknologjisë në përpunimin e udhëtarëve. Modernizimi i sistemeve të kontrollit kufitar dhe përdorimi i e-Gate kanë synuar shkurtimin e kohës së përpunimit dhe menaxhimin më efikas të flukseve./Versus.al

