Zgjedhjet rajonale tronditin Gjermaninë, AfD kryeson në Mecklenburg, Merz: Rezultati është një katastrofë

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale në Berlin dhe Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në skenën politike gjermane. Sipas exit poll-eve të publikuara nga transmetuesi publik ARD, në Mecklenburg-Pomerani AfD kryeson me 37%, e ndjekur nga SPD me 35.5%, ndërsa CDU e kancelarit Friedrich Merz merr vetëm 5.5%. Ky do të ishte rezultati më i dobët i CDU-së në një zgjedhje rajonale që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në Berlin, sipas të dhënave të para, Die Linke renditet e para me rreth 24.5%, ndërsa CDU merr rreth 20%. AfD është në rreth 16%, të Gjelbrit 15%, SPD 12% dhe BSW 5%. Rezultatet janë veçanërisht të rëndësishme për CDU-në, e cila përballet me një rezultat dukshëm më të dobët se në zgjedhjet e mëparshme rajonale.
Pas publikimit të rezultateve të para, kancelari Friedrich Merz pranoi humbjen e CDU-së në Mecklenburg-Pomerani, duke e cilësuar rezultatin si “një katastrofë”.
“Rezultati në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore nuk mund të zbukurohet. Është një katastrofë”, deklaroi Merz, duke shtuar se CDU u gjend e “shtypur” mes SPD-së dhe AfD-së ndërsa theksoi se qeveria duhet të vijojë me reformat për ekonominë dhe funksionimin e shtetit. Merz deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë të udhëheqë CDU-në dhe të qëndrojë në detyrën e kancelarit.
Rezultatet vijnë pas një periudhe presioni politik mbi Merz, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit në Saksoni-Anhalt, ku AfD shënoi një tjetër rezultat të fortë. Megjithatë, rezultatet e sotme janë ende exit poll-e dhe mund të ndryshojnë me numërimin përfundimtar të votave.
/vizionplus.tv




