Vendimet e Rezervës Federale Amerikane (FED) për normat e interesit ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e dollarit dhe, përmes tij, në ekonomitë e vendeve të tjera.
Kështu u shpreh eksperti i tregjeve ndërkombëtare nga Londra, Emanuel Bajra, i ftuar në emisionin ‘SYRI I BOTËS’ me Dori Dakën në SYRI TV.
Sipas Bajrës, dollari vijon të jetë një komponent kyç i ekonomisë globale dhe ndryshimet në politikën monetare të FED-it reflektohen shpejt edhe në monedhat e tjera.
‘Sa e ka çmimin dollari në syrin e FED-it, bankës qendrore amerikane, do të reflektojë në mënyrë direkte tek ne, për shkak se ne varemi nga krediti dhe zinxhiri ynë ekonomik ka varësi nga shkëmbimet në dollar’, deklaroi Bajra.
Ai theksoi se ndikimi i dollarit është veçanërisht i rëndësishëm për tregtinë ndërkombëtare, duke marrë si shembull naftën dhe produktet e tjera që tregtohen në tregjet globale.
Bajra u ndal edhe te vendimet e fundit të FED-it për normat e interesit, duke argumentuar se një rritje e tyre përcjell sinjalin e një dollari më të shtrenjtë dhe më të fuqishëm.
‘Ne në fakt e kemi diskutuar shpesh edhe këtë temë, për shkak se është e rëndësishme. Unë ju aplaudoj juve që merrni një iniciativë të tillë për ta ridiskutuar dhe për ta shtjelluar edhe më thellësisht, sepse është një faktor, një komponent shumë i rëndësishëm i gjithë ekonomisë globale, veçanërisht për ekonomitë që janë në rritje, si ekonomia shqiptare, ekonomia e Kosovës, ekonomia e rajonit e të tjera.
Pra, FED-i është një bankë qendrore, sikurse Banka Qendrore e Shqipërisë, por ka një modalitet krejt tjetër të mënyrës se si funksionon. Ndryshe nga Banka Qendrore Evropiane, është e krijuar nga entitete private amerikane. Pra, 12 njësitë që i ka në të gjithë Amerikën si institucion, të 12 njësitë i kanë aksionarë bankat komerciale. Edhe ato vijnë tek FED-i në Neë York dhe i marrin vendimet monetare.
Tashmë këto vendime monetare përbëjnë këtë komponentën më të rëndësishme që na afekton neve: çmimin e dollarit. Sa e ka çmimin dollari në syrin e FED-it, bankës qendrore amerikane, do të reflektojë në mënyrë direkte tek ne, për shkak se ne varemi nga krediti dhe zinxhiri ynë ekonomik ka varësi nga shkëmbimet në dollar.
Nafta, për shembull, vetëm naftën nëse e marrim, edhe nëse je eksportues i naftës, ti prapëseprapë varësinë e ke në dollar, sepse në minutën, sekondën që një derivat i naftës, një njësi, një komponent, një vlerë, një ushqim ose një prodhim që bëhet, që eksportohet jashtë ose që importohet, duhet detyrimisht të kalojë nga dollari. Nuk ka formë tjetër, nuk ka model tjetër, nuk ka valutë tjetër që e zëvendëson dollarin tani për tani.
Kjo pse ka ndodhur, Dori? Ka ndodhur për shkak se, natyrisht, nuk duhet të futemi në thellësime historike, por pas vitit 1945 Britania e Madhe ishte me fundin e saj, me stërlinën e saj ishte ajo denominatori kryesor i botës, si rezervë valutore e botës, por u spostua dhe iniciativën natyrisht e mori Amerika, sepse Amerika ishte në gjendje shumë më të mirë ekonomike sesa Evropa.
Evropa ishte e shkatërruar. Edhe Amerika, për ta zënë hapin me fundin e stërlinës angleze, u fut dhe i dha kredi multimiliarda Evropës për t'u rindërtuar. Që nga ajo kohë, kjo levë është rritur, është ekspanduar, është zgjeruar, është thelluar në gjithë tregun global.
Se mos harrojmë, Dori, në vitin '45 deri në vitin '60 Evropa është rritur në mënyrë eksponenciale ekonomikisht, se ka pasur kërkesa të mëdha për ndërtim të ri, kërkesa të mëdha për shërbime të reja e të tjera.
Pra, sot jemi në një ekosistem ku, në momentin kur FED-i vendos ta ndryshojë normën e interesit, siç e ndryshoi tashmë me rritje prej 3.75 në 4, kjo çon dy sinjale.
E para, çon sinjalin e shtrenjtësisë së dollarit. Tashmë të gjitha valutat e tjera do ta ndiejnë këtë efekt brenda ditëve: efektin e shtrëngimit, efektin e daljes nga tregu të valutave më të dobëta dhe fuqizimin e dollarit.
Për këtë arsye presidenti Trump ka qenë kundër, kategorikisht kundër.’, u shpreh Emanuel Bajra në SYRI TV.
© SYRI.net
SYRI TV/ Moody’s paralajmëron për pronat në Shqipëri, çmimet e banesave rrezikojnë stabilitetin financiar
Kostoja e një foshnje në Shqipëri, sa 66% e pagës mesatare vjetore, e dyta më e shtrenjtë në Europë
Këmbimi valutor 20 shtator/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera