
Katër të rinj shqiptarë, të cilët ishin 17 vjeç në momentin e zhdukjes, vijojnë të kërkohen në Angli. Organizata “Missing People” i ka përfshirë emrat e tyre në listën e fëmijëve të zhdukur dhe u bën thirrje qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tyre.
Njëri prej tyre është Bledar Ismailaj, i cili ishte 17 vjeç dhe jetonte në zonën e King’s Lynn, Norfolk, kur humbi kontaktet në vitin 2018.
Në listë është edhe Ervis Ndreca, 17 vjeç, i cili është larguar nga shërbimet sociale në Hove, East Sussex, më 14 korrik 2022.
Akil Dervishi, po 17 vjeç në momentin e zhdukjes, është parë për herë të fundit në Sussex më 4 maj 2022.
Rasti i katërt është ai i Denis Haliajt, 17 vjeç, i cili pas mbërritjes në Angli ishte akomoduar në Manchester. Kontakti i fundit me të është regjistruar më 15 gusht 2021.
Të dhënat e publikuara nga “Missing People” konfirmojnë se katër emrat vijojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Rastet e të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Britani kanë ngritur prej vitesh shqetësim për rrezikun e trafikimit dhe shfrytëzimit. Sipas të dhënave të raportuara në vitin 2022, në Kent ishin pranuar 197 fëmijë emigrantë shqiptarë të pashoqëruar, ndërsa 39 prej tyre ishin klasifikuar si të zhdukur.
Fëmijët e pashoqëruar që humbin kontaktet me autoritetet konsiderohen veçanërisht vulnerabël ndaj trafikimit njerëzor, shfrytëzimit dhe përfshirjes nga rrjetet kriminale, përfshirë shfrytëzimin në ferma kanabisi dhe në rrjetet e shpërndarjes së drogës./Versus.al

